Mashtrimi me investimet në bursë, “qëllimi ‘rrepja’ e klientit!”

Tre javë më parë BE dha alarmin se call center-at në Shqipëri po zhvatin qytetarët e tyre

Prokuroria dhe policia shqiptare janë vënë në lëvizje nga letrërporositë e autoriteteve italiane, gjermane dhe disa vendeve nordike se call center-at në vendin tonë po zhvatin qytetarët e tyre me anë të mashtrimit për të investuar në bursë nëpërmjet sistemit Forex.
Fiks Fare zbardhi skemën që përdorin disa call center-a në vendin tonë. Me anë të mashtrimit punonjësit e trajnuar u kërkojnë qytetarëve të shumtë të vendeve të huaja të investojnë me para,por jo vetëm, në tregjet ndërkombëtare për t’i shumfishuar më pas investimet e tyre. Gjë që në realitet nuk ndodh.

Skema e përdoruar në vendin tonë, e treguar me zë e figurë nga Fiks Fare, tregon qartë se qytetarët e ‘peshkuar’ fillimisht u kërkohet të depozitojnë shuma të vogla duke filluar nga 250 euro. Për t’i futur me kapitale më të mëdha në lojë , fillimisht pas investimit të parë ua kthejnë paret të shumfishura. Në mënyrë që ata më pas të shpenzojnë shuma të mëdha të cilat zhduken. Moskthimin e investimit të klientit call center-at ia faturojnë lëvizjeve në bursë që siç vetë e quajnë ” është njësoj si të luash bixhoz”.

Kompanitë që arrijnë një sasi të konsiderueshme fitimi dhe që kanë krijuar një numër të madh klientësh të mashtruar, zhduken pa lënë gjurmë dhe hapin kompani të re, por qëllimi mbetet i njëjtë ” zhvatja me anë të mashtrimit”.

Fiks Fare zbuloi se në këto kompani është shumë e lehtë të punësohesh dhe në disa prej tyre përdorej e njëjta skemë mashtrimi.
Gazetarët e Fiksit nga një kërkim i thjeshtë në internet gjetën disa prej këtyre call centerave dhe u paraqiten pranë tyre për të zhvilluar një intervistë pune, pasi paga që ato ofrojnë variojnë nga 400-600 euro.

Fillimisht iu drejtuan call center-it IMPACTUM- shpk pranë Librit Universitar. Gazetaren e Fiksit e pret një vajzë e cila do ta merrte në intervistë, kjo e fundit do të zhvillohej në gjuhën italiane. Vazja mban postin ‘team leader’ për grupin e italishtes dhe shpjegon se si funksionon puna në këtë call center. Ajo i pohon gazetares së Fiksit të gjitha truket e mashtrimeve për ta bërë një klient italian të investojë minimalisht 250 euro. Ajo i tregon se puna ka të bëj me tregjet financiare, bursën. ” Ti po i ofron klientit një bankë online, një platformë me qëllim investim në bursë. Klientin ti do ta bindësh që të investojë minimumi 250 euro, por për të fituar ai nuk fiton asnjëherë ato para, i ka të humbura. Por që në platformën tonë mund ta shikojë që është me fitim” shpjegon punonjësja e call center-it.

Më pas ajo i tregon se qëllimi i punës është që klienti të ‘rrjepet’ në maksimum, sepse në fund të fundit ai asnjëherë nuk ka për të fituar asgjë. Pyetjes së gazetares se sa të besueshëm janë për klientat, punonjësja shprehet që të tregojë licencën për të fituar besimin e tyre, licencë kjo që është e false. Edhe nesë klienti mund të kuptojë diçka dhe mund të bllokojë numrin nga të cilin e telefonojnë, team leader-ja tregon se kanë në dispozicion 8 linja të tjera si australiane, italiane, gjermane, greke . Më pas ajo shpjegon se IMPACTUM-shpk aktualisht punon me dy platforma që operojnë njëra në Berlin dhe Londër. Aktualisht për këtë kompani punojnë rreth 50 veta, ku punohet në gjermanisht, dy tavolina italisht, një spanjisht dhe pjesa tjetër greqisht. Ajo shpjegon se me kmpanitë e tjera në botë që bëjnë të njëjtën gjë realisht fitohet, por kjo nuk ndodh në Shqipëri ” këtu nuk fitojnë kurrë!” përfundon ajo.

Kompania tjetër ku gazetarja e Fiksit u paraqit është Blue Solution. Edhe kjo kompani operon në fushën e investimeve online në bursë me investime në euro, dollarë, në kriptomonedha, bitcoine, flori në çdo gjë të mundëshme. Në këtë call center punohet në disa gjuhë si spanjisht, italisht, anglisht dhe gjermanisht me kapacitet punonjësish diku tek 20 persona. Punonjësja i shpjegon gazetares se detyra e saj do jetë të bindi klientin që të zgjedhi platformën e tyre dhe jo platformat e tjera. Depozita e parë që quhet FTD minimumi që mund të investojë një klient është 250 euro, maksimum nuk ka. ” Janë mashtrime! Thjeshtë klienti duhet të depozitojë, por për të fituar nuk fiton asnjëherë” tekson punonësja. Më pas ajo i shpjegon gazetares se e rëndësishme është të bëj sa me shumë FTD. Rroga bazë në këtë call center është 400 euro neto, dhe nga një deri në 3 kontrata në muaj paguhet 40 euro ekstra secila prej tyre. Nëse arritet që brenda muajit të bëhen 10 FTD atëherë ato paguhen 100 euro secila.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA