“Universiteti Bujqësor ishte marrë peng nga grabitës e abuzues”, Rama: Të çlirohet edhe nga barra e paragjykimit

21/11/2021 11:23

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me Universitetin Bujqësor duke thënë se ishte marrë peng nga grabitës e abuzues që e kishin kthyer në tokë pa zot duke bërë aktivitete nga më të ndryshmet.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të buxhetit 2022 për fermerët, Rama tha se Universiteti është çliruar fizikisht por ka nevojë të çlirohet edhe nga barra e paragjykimit se të studiosh atje, nuk ke asnjë perspektivë.

Kryeministri thekson se në këtë sektor do të ketë gjithmonë nevojë për njerëz të ditur.

Edi Rama: Nga ana tjetër, sa i përket dijes dhe rritjes së kapaciteteve në aspektin e dijes të njerëzve të sektorit. Bujqësia është dije në radhë të parë dhe në këtë botë që transformohet cdo ditë falë teknologjisë, është e domosdoshme që ne të krijojmë një proces ndërveprimi mes vatrës së dijes që është Universiteti dhe gjithë sektorit, por edhe institucioneve që janë në mes, të cilat kanë një problem të madh.

Jam i vetëdijshëm që drejtoritë tona të bujqësisë janë larg së qenit vatra të transferimit të dijes. Çfarë po bëjmë? Kemi kapur hallkën e parë dhe po merremi intensivisht me hallkën e parë që është universiteti. Prej vitesh kemi një partneritet ku kemi dhënë mbështetje, por duke filluar nga çlirimi i Universitetit. Universiteti ishte marrë peng fizikisht nga lloj lloj grabitësish dhe abuzuesish që i kishin hyrë në territor dhe e kishin kthyer në një tokë pa zot duke bërë aktivitete nga më të ndryshmet, tregtare, ekonomike dhe duke banuar e duke bërë çudira që nuk kishin lidhje fare me univeristetin.

Universiteti kishte humbur të gjithë infrastrukturën mbështetëse që ka të bëjë me laboratorët, me të gjithë sistemin eksperimental që ka qenë një model në të shkuarën. Universiteti kishte humbur komplet në mes të karakatinave, por sot është çliruar fizikisht por ka shumë nevojë akoma të çlirohet nga barrat e viteve dhe një barrë kryesore e paragjykimit për shkak se duket sikur të shkosh të studiosh në Universitetin Bujqësor, studion pa një perspektivë përfitimi. Është komplet e gabuar dhe mbrapsht sepse e kundërta është e vërtetë. Në këtë sektor do të ketë gjithmonë e më shumë nevojë për njerëz të ditur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA