Rashica fiton “derbin” me Brojën, debutim perfekt për Gerrard, Newcastle “ngec” sërish

21/11/2021 00:57

Milot Rashica fitoi “derbin” me Armando Brojën, Newcastle duhet të presë ende për të siguruar triumfin e parë sezonal në Premier League, teksa Steven Gerrard debuton me fitore si trajner i Aston Villa.

Norwich mposhti 2-1 në fushën e vet Southampton. Adams kaloi miqtë në avantazh në minutën e katërt, por “Kanarinat”, që u drejtuan për herë të parë në stol nga Dean Smith, përmbysën gjithçka falë golave të Pukki (7’) dhe Hanley (79′).

Rashica e nisi takimin si titullar dhe u zëvendësua në minutën e fundit, ndërsa Broja u fut në fushë në minutën e 57-të, duke mos ia dalë të ndihmojë “Shenjtorët” të evitojnë humbjen. Aston Villa fitoi 2-0 në shtëpi ndaj Brighton. Miqtë rezistuan mirë deri gjashtë minuta nga fundi, por ekipi i Steven Gerrard realizoi golat fitores me anë të Watkins (84’) dhe Mings (89’).

Trepikësh i rëndësishëm për skuadrën nga Birmingemi dhe suksesi i parë si trajner në Premier League për ish-kapitenin e Liverpool. Newcastle dhe Brentford dhuruan spektakël, e mbyllën duelin mes tyre në barazim 3-3 dhe ndanë nga një pikë. Infektimi me Covid-19 shtyu debutimin e Eddie Howe në stolin e “Qymyrxhinjve”, të cilët janë i vetmi ekip i Premier League që nuk ka fituar akoma këtë sezon.

I njëjti rezultat u regjistrua edhe në ndeshjen Burnley-Crystal Palace, teksa Wolves iu fal rrjetës së meksikanit Jimenez (58’) për të thyer 1-0 në shtëpi skuadrën e West Ham.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA