Në prezantimin e buxhetit për vitin 2022 për fermerët, kryeministri Edi Rama ka folur për protestat e fermerëve duke thënë se kanë hequr rimbursimin 6% dhe i kërkoi që të kuptojnë tregun.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se “është e pakonceptueshme që të dalësh në rrugë dhe të kërkosh në qiell të të shitet prodhimi”, duke thënë se grumbulluesit e përpunuesit duhet të kuptojnë tregun.
Ndërsa atyre që bëjnë komente në Facebook se bujqësia ka marrë fund, Rama i thotë: “Jeni out. Mjafton të shihni faktet. Të shihni eksportet bujqësore.”
Edi Rama: Dua të prek disa elementë, pa hyrë në të gjitha ato që parashtroi ministrja dhe dua ta filloj me elementin që ka krijuar edhe atë konfuzionin e pragut të miratimit të buxhetit, i materializuar dhe në disa protesta, të cilat janë legjitime, por për të cilat unë besoj se ata që kanë marrë pjesë, në një masë të madhe, janë të keqinformuar.
Çfarë ka ndodhur, në fakt, është shumë e thjeshtë në shifra, dhe pse ne kemi vendosur ta heqim atë rimbursimin e 6% dhe çfarë do bëjmë me atë masë parash që përdorej për rimbursimin, se këto janë pastaj të nevojshme për të kuptuar që është hedhur një hap përpara, jo mbrapa.
Duke vendosur atë skemë të rimbursimit të 6%, ne kemi synuar që përmes shfrytëzimit të kapacitetit logjistik të grumbulluesve, të çojmë paratë tek fermeri, në raport me prodhimin e grumbulluar, dhe shifra, në fund fare, ka rezultuar një shifër modeste, por mbi të gjitha një shifër e kontrolluar nga një grusht grumbulluesish të mëdhenj, që jo domosdoshmërisht ka shkuar tek fermeri. E duke qenë se në këtë fazë, në këto vite, i gjithë sistemi i grumbullimit ka përfituar masivisht nga mbështetja e qeverisë dhe posaçërisht e AZHBR dhe duke qenë se grumbulluesit sot, janë një forcë e re, e krijuar në një treg që pa grumbullimin është i destinuar vetëm të mbijetojë në ankthin e falimentit, unë besoj se dhe grumbulluesit do ta mirëkuptojnë këtë që po them sepse ne, jo vetëm që nuk jemi kundër tyre, por përkundrazi, kemi bërë çmos që të rriten dhe të forcohet.
Ama, në këndvështrimin tonë, ajo shumë që në fund fare ka rezultuar rreth 9 milionë dollarë të transferohet drejtpërdrejtë në buxhetin e bujqësisë dhe në vend që të shpenzohet përmes një sistemi jo transparent dhe të paqartë rimbursimi, ku siç thashë, pjesa dominante e këtyre parave kontrollohet nga grumbulluesit, të shkojë drejtpërdrejtë për produktivitetin, jo duke u marrë nga buxheti i shtetit për të tjera gjëra, por duke iu dhënë ministries, buxhetin.
Kini parasysh që një sektor, i cili gjatë një viti prek shifrën e 3,5miliardë, sa mund të impaktohet nga vetëm 9milionë? Flas për miliardë dollarë, si veprimtari. Sa mund të impaktohet, ndërkohë që me këto milionë mund të bëjmë shumë, duke ia shtuar masës së financimit të bujqësisë dhe duke synuar produktivitetin.
Për të ardhur tek produktiviteti, dua të them që është shumë e rëndësishme të kuptohet që sa më shumë kalon koha dhe sa më shumë strukturohet së brendshmi sektori me grumbullues, prodhues të fuqishëm, tregtues, aq më e pamundur bëhet që në këtë sektor të jetosh dhe të mbijetosh i vetëm.
Është trendi i zhvillimit që kërkon krijimin e sinergjive dhe aty ku shohim sukses, shikojmë sinergji të caktuara mes atij që është në parcelë, atij që e grumbullon prodhimin dhe pastaj forcës së krijuar, qoftë nga grumbulluesi apo së bashku me të tjerët për ta shitur prodhimin. Nuk mundet dot, është e pakonceptueshme të shkosh më tutje, duke qëndruar tek parcela jote, duke prodhuar për pjesën tënde dhe pastaj natyrshëm që do dalësh në rrugë dhe do kërkosh nga qielli të të shitet prodhimi sepse nuk shitet.
Këtu u prek një pikë shumë nevralgjike, që edhe për grumbulluesit, edhe për prodhuesit, edhe për agro-përpunuesit është e domosdoshme që të jenë të orientuar për të kuptuar tregun dhe të jenë të orientuar për të mos prodhuar dhe investuar në drejtime që pastaj rezultojnë se janë drejtimë në kundërshti me tendencën e tregut.
U përmend molla sarkinge këtu.Është një nga shembujt më domethënës se si mund të shkosh t’i biesh murit me kokë, duke investuar gabim pa e lexuar tendencën e tregut. E çfarë duhet t’u bëjë shteti atyre që insistojnë tek molla starkinge, të shkojë shteti tua blejë? Nuk është shteti që blen prodhimet sot, nuk është shteti që sot garanton tregun. Është sipërmarrja bujqësore, tregu vetë dhe mirëkuptimi nga ana e sipërmarrjes e tendencave të tregut.
Ajo që bën Ministria e Bujqësisë, ajo që bën shteti është lehtësimi i këtyre fazave, duke rritur informimin, duke rritur kapacitetin orientues dhe mbi të gjitha, duke u fokusuar me fondet në dispozicion, aty ku tregu është interesant për fermerin, jo duke i shpërndarë paratë në të gjitha drejtimet, siç është bërë në të kaluarën edhe për mollët sarkinge, që në fund rezulton humbje për të gjithë.
Kur flasim për produktivitet, flasim për maksimizimin e këtyre fondeve që ne vëmë në dispozicion të bujqësisë, duke i investuar në mbështetje të atyre modeleve që rrisin produktivitetin, duke fuqizuar ata shembuj që pastaj bëhet fuqi tërheqëse për të tjerët. Këtu nuk jemi duke folur për një realitet imagjinar, po flasim për një realitet që në Shqipëri është prezent, nga veriu deri në jug, me shembuj kuptimplotë prej të cilëve duhet mësuar dhe nga të cilët duhet kuptuar.
Për fat të keq, në botën ku jetojmë, këta shembuj nuk bëjnë lajm, por është falë këtyre shembujve që ne sot kemi një rritje të eksporteve bujqësore të paimagjinueshme disa vite më parë.
Atyre që nga smartphone-i bëjnë komente në Facebook që bujqësia ka marrë fund, fshati ka marrë fund, gjithçka ka marrë fund, u them që jeni “out” nuk dini se çfarë flisni. E kundërta është e vërtetë.
Mjafton të shikojmë faktet dhe nuk ka nevojë të humbasim në shumë shifra. Mjaftojmë të shikojmë eksportet.
Rritja e përvitshme e eksporteve bujqësore tregon vetë, nuk ka nevojë të diskutojë gjërë e gjatë.
Eksportet bujqësore rriten sepse rritet prodhimi.
Eksportet bujqësore rriten sepse rriten kapacitetet grumbulluese.
Eksportet bujqësore rriten sepse rriten kapacitetet tregtuese të vendit.
Ashtu sikundër, mjafton të shikojmë tokën që punohet. Si paska shkuar mbrapsht kjo punë kur në 2013 punoheshin 120mijë hektarë, sot punohen 255mijë hektarë? Jemi në kushtet ku punojmë dyfishin e tokës në Shqipëri.
Pse e punojmë dyfishin e tokës në sot?
Sepse kemi investuar fuqishëm në 230mijë hektarë sipërfaqe, duke rihabilituar ujitje dhe kullim. Pse nuk punohej toka deri disa vite më parë? Sepse nuk kishte as ujë, as kullim.
Tjetra që është e rëndësishme janë digat. Të tëra të lëna në mëshirë të fatit. Sot jemi në kushtet kur kemi 40 diga të rehabilituara dhe vazhdojmë punën për rehabilitimin e mëtejshëm të tyre dhe 80kilometra argjinatura mbrojtëse komplet të rehabilituara.
Për të shkuar më tutje tek vlera e eksporteve, kemi kapur 400milionë. Një shifër e pamendueshme, deri 7-8 vjet më parë. 400 milionë të cilat, mund, duhet dhe do t’i rrisim. Ne duam të shkojmë në 1miliardë eksporte, të kombinuara padiskutim mes bujqësisë dhe peshkimit.
Këtë objektiv ne jemi të bindur që mund ta arrijmë dhe do ta arrijmë.
Top Channel