
Kur 37 vjeçari Dung Nguyen la Vietnamin për të punuar jashtë, e siguruan se do të punësohej në një kompani gjermane në Serbi, por pas mbërritjes i morën pasaportën dhe e dërguan në një fabrikë kineze me kushte pune të tmerrshme.
Situata e këtyre njerëzve ka rrëmbyer vëmendjen mediatike në vend, vetëm pasi Nguyen dhe qindra vietnamezë të tjerë u hodhën në grevë këtë javë, një sfidë e rrallë kjo që mund t`i bëhet një sipërmarrjeje kineze në Serbi nga punëtorët e saj.
Pekini ka investuar miliarda dollarë në Serbi e vende të tjera ballkanike dhe shpreson të zgjerojë gjurmën e tij ekonomike në Europën qendrore.
Beogradi ka nxituar të përfitojë nga paratë e Kinës në mesin e një lufte ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit për influencë në Ballkan, e ndërkohë, është akuzuar vazhdimisht se u ka lënë dorë të lirë kompanive kineze në vend dhe mbyll njërin sy para shkeljeve të tyre, si në lidhje me të drejtat e njeriut, ashtu dhe me mjedisin. Nguyen thotë se kushtet e punës janë të tmerrshme, aspak ajo çfarë iu premtua përpara se të nisej.
“Jetojmë si në burg… pasaportat nga merren nga kinezët që në momentin që zbresim në aeroport dhe i mbajnë ata. Nuk flas dot më shumë se kam frikë për pasojat që mund të kenë të tjerët”, u shpreh ai për AFP-në përmes një lidhjeje me telefon.
Fabrika ku punon 37 vjeçari ruhet me roje private dhe gazetarëve nuk i lejohet që të afrohen aty.
Top Channel