Tanguy Ndombele është blerja më e shtrenjtë në historinë e Tottenham, por ndonëse në Londër prej tre sezonesh, mesfushori francez nuk po arrin të shndërrohet në një titullar fiks dhe shpesh ka pasur probleme me trajnerët.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Antonio Conten së fundi, i cili ka zgjedhur ta kritikojë publikisht 24-vjeçarin, duke thënë se nëse nuk arrin të vërë talentin në dispozicion të grupit, do të jetë e pamundur të bëhet lojtar i madh.
“Me Ndombele po punojmë shumë, më shumë se me të tjerët, pasi ai është shumë i talentuar, por duhet të kuptojë që futbolli është një lojë grupi dhe duhet të vihesh në shërbim të ekipit. Ai duhet të bëjë atë që roli ia imponon dhe të mësojë të bashkëpunojë me shokët, pasi vetëm kështu mund të bëhet një lojtar i madh”, deklaroi Conte.
Mesfushori francez pritet të luajë titullar në fundjavë ndaj Leeds United, pasi Oliver Skipp është i skualifikuar, ndërsa Conte do të përballet edhe me mungesa të tjera si ato të argjentinasve Christian Romero e Giovanni Lo Celso.
Top Channel