Beteja me mbetjet/ Kryeministri mbështet kërkesat e kryebashkiakes Ademi: Brenda javës, 5 pika grumbullimi buzë lumenjve të mbyllen!

20/11/2021 15:34

Gjatë takimit të sotëm me kryetarët e qyteteve bregdetare, Kryeministri Rama është shprehur ‘i gatshëm’ të plotësojë kërkesat e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, për pastrimin e mjedisit.

Kryebashkiakia e Shkodrës, Voltana Ademi ka listuar disa prej problematikave lidhur me çështjen e grumbullimit dhe trajtimit të plehrave, ndërsa sipas saj problematika kryesore është grumbullimi i plehrave në 5 pika buzë lumenjve.

Sipas kryebashkiakes, një prej problematikave është edhe mbetjet nga fasoneritë e qytetit, që autoritetet i kanë gjobitur disa herë, por sërish fasoneritë kanë depozituar mbetje në vendgrumbullime jo të autorizuara.

“Ne në Shkodër kemi pika të grumbullimit buzë lumenjve. Kemi problematikë, jo vetëm i ndot lumenjtë. Ne kemi probleme me disa subjekte të fasonierisë, kemi gjobitur me nga 200 mijë lekë. Nuk kemi një sistem monitorimi, ne në fakt na rezulton që para dy javësh duke u ngjitur në kala, pamë grumbuj mbetjesh fasonerie. Kemi probleme me monitorimin, kemi vendosur një sistem kamerash. Mendoj që angazhimi për monitorimin e makinave që transportojnë inerte. Shkodra është shumë e madhe. Mund të eliminojmë edhe 5 pika nga 15 që kemi patur mbetje buzë lumenjve që janë inerte dhe urbane. Kemi angazhuar punonjës sezonalë, përveç plazheve kemi dhe lumenjtë. Kemi angazhuar punonjës 6 mujor që të mbajmë një territori të pastër. Përfundojnë tek derdhja e Bunës”, u shpreh ajo.

Këtyre shqetësimeve duket se kryeministri Rama i është përgjigjur menjëherë! Ai i cakton detyrë drejtorit të qarkut të Shkodrës të kontaktojë me Bashkinë në mënyrë që brenda javës, këto 5 pika të mbyllen: “Do doja që menjëherë drejtori i qarkut të Shkodrës të kontaktojë me kryetaren e Bashkisë dhe brenda javës ato 5 pika informale grumbullimi buzë lumenjve të mbyllen. Nëse e shohim legjislacionin në fuqi, këto janë krime mjedisore që dënohen”.

Një tjetër pikë e cila duket se ka “pajtuar” kryeministrin Rama me kryebashkiaken e Shkodrës, është diferencimi i mbetjeve. Voltana Ademi thotë se bashkia ka në plan implementimin e diferencimit të mbetjeve në Shkodër. Ajo kërkoi që këtë kosto shtesë, gjysmën e saj ta mbulojë qeveria dhe gjysmën bashkia.

Po ashtu, Kryeministri Rama është shprehur i gatshëm që qeveria të japë ndihmë për të gjithë bashkitë që synojnë diferencimin e mbetjeve në funksion të riciklimit

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta