Emocione, gola, kartona, por jo fitues në ndeshjen e parë të javës së 14-të në Ligue1, midis Monaco dhe Lille. Në Principatë të dyja skudrat zbritën në fushë me objektivin e përbashkët, për t’u rikthyer te fitorja e munguar në kampionat, por në fund vetëm një pikë. Një nisje perfekte për Lille që shënoi golin e avantazhit pas 5 minutash lojë, me një penallti të përkthyer në gol nga David.
Kanadezi ishte i papërmbajtshëm, pasi pas 4 minutash shënoi edhe golin e dytë, duke i dhënë një goditje shumë të fortë vendasve. Skuadra e Kovac, ishte pa busull, duke gabuar dhe duke dhuruar shumë, por Lille shpërdoroi pafund dhe pikërisht në minutën e 41-të, Diatta shënoi duke ngushtuar rezultatin.
Pjesa e dytë ishte tjetër simfoni, pasi skuadra e Niko Kovac ishte dominuese duke krijuar një volum të madh loje dhe rastesh, por duke gabuar shumë përpara portës së Grbic. Në minutën e 78-të, Pavlovic u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën nga Principata me 10 lojtarë, por Lille nuk ia doli të shfrytëzonte superioritetin numerik. Pas 4 minutash, Ben Yedder shënoi një gol të gjithin personal duke barazuar rezultatin. Francezi kishte vetëm 11 minuta në fushën e lojës duke evituar humbjen e Monaco-s në shtëpi, ndërsa Lille, lë dy pikë shumë të rëndësishme.
Skuadra e Niko Kovac, Monaco shkon në koutën e 19-të pikëve, ndërsa Lille prek koutën e 17-të pikëve, ndërsa tani të dyja skuadrat, kthejnë vëmendjen nga Europa.
Top Channel