​Kurti takohet me Giacobbe: Gatishmëri për marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë

19/11/2021 02:20

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi zhvilloi takimin e rregullt javor me të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, i shoqëruar nga zyrtarja për çështje politike, Mia ter Haar.

Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit njoftoi se në këtë takim Kurti dhe Giacobbe diskutuan për zhvillimet në vend, bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe për procesin e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për angazhimin e saj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që në qendër të saj ka njohjen reciproke dhe nga e cila përfitojnë popujt dhe qytetarët e dy vendeve”, thuhet në komunikatën e ZKM.

Në të njëjtën komunikatë, i ngarkuari me punë në ambasadën e ShBA-ve, Giacobbe thuhet se ka shprehur vlerësimin e tij për bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës, sidomos në lidhje me strehimin e qytetarëve afganë në Kosovë.

Falë këtij bashkëpunimi, bëhet e ditur se sot në mëngjes edhe 54 qytetarë afganë që kishin gjetë strehim të përkohshëm në Kosovë tashmë kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të filluar jetën e tyre të re. Giacobbe thuhet se ka mirëpritur ftesën e Qeverisë amerikane për Kosovën në Samitin e Demokracisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA