Gjykata të enjten dha masën e arrestit me burg për Klodian Çalamenin.
38-vjeçari do të gjykohet pas hekurave për vrasjen e 8-vjeçarit që u gjet i mbuluar me baltë në oborrin e vrasësit.
Familjarët e të miturit u mblodhën këtë mëngjes para Gjykatës së Fierit, ku mes shumë tensionesh kërkuan dënimin me vdekje për autorin e dyshuar.
Ata janë futur me forcë brenda ambienteve të gjykatës, duke çarë edhe kordonin e policisë. Mes thirrjes “drejtësi” ata kanë kërkuar të ballafaqohen me Çalamenin, i cili nuk u paraqit në ambientet e gjykatës pikërisht prej gjendjes së agravuar.
“Nuk na lini në gjykatë, nuk na lini që të ndezim një qiri të vendi, ça drejtësie është kjo”, dëgjohet të thotë një e afërme.
“A keni fëmijë, a keni fëmijë, e gjetshit në fëmijët tuaj”, është dëgjuar njëra prej familjarëve të të miturit të vrarë.
Personat e pranishëm kërkonin që vrasësi të dënohej me varje pasi nuk mund të qëndronte në burg dhe të ushqehej me taksat e tyre.
“Kërkoj varjen në mes të Fierit sot, ma sillni këtu”, tha nëna e djalit të vrarë ndërsa të tjerë u shprehën se dënimi me burg nuk do ta linte të prehej në Paqe 8-vjeçarin.
Mësohet se avokati që ishte caktuar për të mbrojtur autorin e dyshuar të vrasjes së 8-vjeçarit u tërhoq para nisjes së seancës, duke mos pranuar të mbrojë Çalamenin.
Vrasja e 8-vjeçarit Mateo Vasiu dy ditë më parë nga fqinji i tij ka tronditur mbarë opinionin, duke sjellë reagime nga qytetarë, të njohur të tij dhe figura të politikës.
Mateo 8-vjeçar u përcoll për në banesën e fundit mes lotësh dhe dhimbjesh nga familjarë, shokë dhe qytetarë të Fierit dje.
Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë, ku 38-vjeçari Klodian Çalameni goditi me sende të forta, duke e lënë të vrarë 8-vjeçarin. Më pas, autori e varrosi trupin e tij në oborrin e banesës.
38-vjeçari pranoi para efektivëve të Policisë krimin e rëndë.
Ka qenë një kamera sigurie, ajo që filmoi momentet kur 38-vjeçari mori djalin e vogël dhe e futi në banesën e tij. Ndërkohë familjarët e djalit të vogël kërkonin prej orësh të miturin dhe kishin bërë edhe denoncimin në polici.
Aurori njihet si person problematik dhe me probleme mendore, por zyrtarisht nuk figuron si person i pajisur me një kartelë psikiatrike.
Top Channel