Gjykatësit suedezë kanë mbyllur këtë të enjte seancat e marrjes së dëshmive në gjykatën e Durrësit.
Përgjatë dy javëve, dëshmitarë okularë kanë dëshmuar kundër Hamid Noury, një zëvendësprokuror iranian, i arrestuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Suedi. Seancat janë zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së lartë që paraqesin dëshmitë e dhëna mbi masakrën e vitit 1988 në burgjet iraniane në të cilat u ekzekutuan dhe u varrosën në fshehtësi 30 mijë të burgosur politikë, shumica e të cilëve mbështetës të MEK.
Margarita Kola: “Këto kanë qenë seanca të marrjes në pyetje nga gjykata suedeze, gjë që tregon se jemi futur në shqyrtim gjyqësor. Këto dëshmi të protokolluara do të shërbejnë si provë gjatë seancave të mëtejshme që do të vazhdojnë në Suedi dhe bazuar në ligjin procedurial suedez do të vazhdojë me seanca të tjera gjatë të cilave do të shqyrtohen provat e sjella nga palët.”
Mohammad Mohaddesin: ”Nuk ka pasur precedent tjetër në historinë e njerëzimit pas Luftës së dytë botërore si ajo që ndodhi në Iran. Kjo tregon rezistencën ndaj regjimit brutal dhe çmimin e paguar e që vazhdojnë të paguajnë iranianët për lirinë. Ne kemi histori të ngjashme, ndaj jemi shumë krenarë që Shqipëria na ka strehuar e mirëpritur.”
Pas përfundimit të seancave gjyqësore ku u dëgjuan 7 dëshmitarë kyç për gjyqin kundër Hamid Noury i cili ka nisur më 10 gusht në Stokholm, trupi gjykues do të zhvendoset sërish në Stokholm për të vijuar gjykimin ndaj tij.
Top Channel