Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama foli me tone të shqetësuara dhe të ashpra në lidhje me mbetjet urbane dhe ambientin në përgjithësi. Në takimin që pati me kryebashkiakët, Rama bëri paralajmërime të forta në lidhje me reagimin që duhet të ndodhë në raport me mjedisin dhe ambientin.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro foli për “Top Talk” duke thënë se “më kollaj pastrohen 10 mijë metra katror territor se 10 cm tru njerëzor.”
Kumbaro: Nuk mendoj që dikush beson se Rama apo ministri mjedisit, apo kryetari i Bashkisë nuk kanë punë tjetër veçse të dalë dhe të bëjë pastrimin në territor,. Ajo është një simbolikë e një nisje të një plani dhe që nuk është një fushatë, por është një plan që ne e kemi quajtur plani i pastrimit kombëtar që ka bërë që të zbresin në terren në radhë të parë ata që e kanë detyrë të përditshme, pra bashkitë, që janë menaxhueset kryesore të territorit, të cilave ligji u jep në mënyrë prioritare detyrën e mirëmbajtjes së territorit, mirëmbajtjes së mjedisit, sidomos në terma të menaxhimit të mbetjeve.
Ju përmendet Tiranën, po ju garantoj që kemi pjesën më të madhe të bashkive në vijim të zbatimit të këtij plani që nuk është rastësor, por ka një plan të detajuar të ndarjes së territorit nga jugu në veri, që ka filluar rreth 3 javë më parë, por në tryezat tona ka filluar që ditën e parë qe kemi marrë detyrën. Jo më kot kryeministri e ka shpallur prioritet kombëtar çështjen e menaxhimit të mbetjeve, të pastërtisë së territorit, të mbrojtjes së mjedisit dhe për turizmin.
Në të gjitha qarqet po bëhet një krehje e territorit dhe ajo që ne konstatojmë është se nëse qendrat e qyteteve janë të pastra kemi një problem të madh me ato që nuk na i sheh syri në të përditshmen tonë, që janë zonat më pak të banuara, rrëpirat e lumenjve, pyje dhe parqet, në këto kemi dy probleme: një të mangësive të menaxhmit nga ana e bashkive të territoreve që nuk janë qendra të banuara, por kemi një problem edhe më të madh me shoqërinë shqiptare sepse vetë i prodhojmë, nuk na zbresin nga Marsi.
Dyrnjaja: Një ditë më pas, kamerat e Top Channel kanë shkuar në ambientin ku kryebashkiaku ishte për të pastruar ambientin aty dhe ka konstatuar se një ditë më pas ka pasur një pirg me mbetje urbane. Por ky nuk është rasti i vetëm. Si do zgjidhet kjo gjë, pavarësisht presionit që mund tu bëhet kryetarëve të bashkive?
Kumbaro: Ndërkohë që ne po flasim, jemi duke dhënë një mesazh. Unë dhe në fjalë time për buxhetin 2022 e nisa me dy episode, një që të mos kujtoj njeri se jam subjektive, e nisa me një episod nga puna në Gjirokastër, ku një djalë i vogël më tha që kjo është punë e Bashkisë, ta bëjnë ata, ndërkohë që ndotjen e bëjmë të gjithë bashkë si dhe episodi i dytë ka të bëjë me atë territor që ju përmendët në bashkinë e Tiranës ku jo vetëm unë dhe Veliaj, por dhe kryetari i bashkisë së Kamzës por dhjetëra qindra vullnetare ishte një masë shumë e madhe njerëzish që pastruan territorin dhe aty ndërkohë ka filluar dhe mbjellja e pemëve, ama ajo që më la një shije shumë të hidhur ishte që u rrethuam nga banorë të zonës, ata që prodhojnë mbetjet, të cilët jo vetëm që nuk na u bashkuan, por na qesëndisen, madje deri diku dhe na u sulën.
Top Channel