![](https://top-channel.tv/wp-content/themes/topchannel/assets/images/tch.jpg)
Kryedemokrati Lulzim Basha shprehet se çdo rast që denoncohet në polici dhe çdo person që kërcënon rrezikun e qytetarëve duhet të trajtohet me vëmendje nga institucionet shtetërore.
Basha ka reaguar për vrasjen e 8-vjeçarit Mateo Vasiu nga fqinji i tij me precedent penal në Fier, ku i shprehu ngushëllime familjarëve tha se ngjarja është një këmbanë alarmi për policinë, drejtësinë, shëndetësinë e kujdesin social.
“Jam thellësisht i tronditur për ngjarjen e tmerrshme kriminale që i mori jetën një 8 vjeçari në Fier. Si prind, ndaj sot dhimbjen me prindërit dhe familjarët e Mateos dhe lus Zotin t’ua lehtësojë dhimbjen!
Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve!
Dita e djeshme, e cila jo për herë të parë na përballi me ngjarje të rëndë kriminale, është një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, për policinë, drejtësinë, shëndetësinë e kujdesin social. Duhet një vëmendje e shtuar ndaj çdo rasti, një strategji e re përballjeje përtej propagandës, që ngjarje të tilla të parandalohen pa qenë vonë”, shkruan kreu demokrat.
Si ndodhi ngjarja?
Një ditë më parë Fieri u trondit nga grabitja dhe vrasja e 8-vjeçarit Mateo Vasiu nga Klodian Çalamani. Në lidhje me ngjarjen u arrestua nga Policia e Fierit, Klodian Çalamani, pasi 8-vjeçari është parë nga banorët e lagjes duke bërë xhiro me biçikletën e tij. Kjo ka hedhur dyshime tek policia, e cila menjëherë ka nisur hetimet.
Vetëm pak minuta më vonë është arritur të ndalohet 38-vjeçari Klodian Calameni, i cili e pranoi vrasjen dhe tregoi se e kishte groposur trupin në oborrin e shtëpisë. Rrethanat e këtij akti makabër janë ende të paqarta, ndërsa pritet zbardhja e dëshmisë së autorit.
Kush është Klodian Çalamani?
Klodian Çalameni
Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo jo pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën. Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak. Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Në atë kohë, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës në vitin 2009.
Top Channel