Kërcënimet e për shkëputje të Republikës Serbe nga Bosnja dhe riarmatosja e Serbisë kanë rritur shqetësimet se Ballkani mund të shkojë drejt konfliktit.
Lideri i entitetit serb të Bosnjës, Milorad Dodik kërcënoi me shkëputje, ndërsa Serbia filloi negociatat muajin e kaluar me Izraelin për blerjen e raketave antitank dhe disa zyrtarë të Bashkimit Europian dyshojnë se Beogradi mund të jetë në proces të vendosjes së kontakteve me Ankaranë për të diskutuar blerjen e llojit të dronëve të armatosur të prodhimit turk të përdorur në mënyre efektive nga Azerbajxhani në luftimet e fundit me Armeninë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçic thotë se fqinjët e tij ballkanikë nuk duhet të shqetësohen nga riarmatosja, të cilin ai e konsideron si një përmirësim të forcave të armatosura të vendit të tij dhe thotë se Beogradi nuk ka qëllime për të ndërmarrë sulme.
Por fqinjët e Serbisë janë të shqetësuar nga programi i saj i riarmatosjes, i cili ka çuar në rritjen me 70 për qind nga Beogradi të shpenzimeve në fushën e të mbrojtjes që nga viti 2015. Dhe ata mendojnë se kjo po bëhet në frymën e retorikës nacionaliste në rritje të Vuçiç.
Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ndërmjetësuar marrëveshjen për paqe në Bosnje e Hercegovinë më 1995, mund të vendosin sanksione kundër subjekteve që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore ose ta destabilizojnë marrëveshjen, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë më herët se “nuk ka asnjë mënyrë kushtetuese” që entiteti me shumicë serbe të tërhiqet njëanshëm nga institucionet kombëtare.
Top Channel