Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat nga aeroporti i Rinasit u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë sa më shpejt ngjarjen e rëndë të ndodhur në Fier një ditë më parë, ku u vra 8-vjeçari Mateo Vasiu dhe të jepet masa më ekstreme që parashikon ligji në vend për autorin Klodian Çalamani.
Në lidhje me vendimin me vdekje për personat që kryejnë të tilla krime monstruoze Rama tha se edhe po të vendoset nuk do të evitohen të tilla ngjarje, duke përmendur se edhe në vendet më të zhvilluar ndodhin të tilla krime.
“Unë e mirëkuptoj këtë reagim nga emocionet shumë ekstreme të momentin nga një pjesë ekonsiderueshme e shoqërisë për hir të së vërtetës siç e the dhe ti, por çështja e dënimit me vdekje është një çështje e adresuar kohë më parë si çështje e civilizimit tonë nga të gjithë vendet e BE dhe më gjerë dhe në adresimin e kësaj çështje ka patur një proces të gjatë kur janë hedhur nga vendet e para hapat për heqjen e dënimit me vdekje, të bazuar në shumë analiza në shumë fakte, të cilat kanë folur qartësisht, jo vetëm në aspektin moral të një shoqërie demokratike të bazuar në kartën universale të lirive dhe të drejtave të njeriut, por dhe në aspektin praktik dënimi me vdekje nuk i bën të paevitueshme ngjarje të tilla.
Fatkeqësisht shoqëritë edhe në vendet më të zhvilluara, edhe në vendet me nivelin më të lartë të civilizimit tonë, i kanë në gjirin e tyre dhe këto qenie që janë në gjendje të shkojnë deri në shfaqjet më ekstreme të asaj që ka mbetur nga kafsha në qenien e njeriut.
Rikthimi i dënimit me vdekje nuk është as i mundur e as një formulë apo një shkop magjik për të parandaluar të tilla ngjarje, të cilat siç e the edhe siç e dimë, ndodhin në të gjitha shoqëritë, ndërkohë që për sa i përket pjesës tjetër, unë duhet të them që në aspektin e kuadrit ligjor, Shqipëria për shkak të disa ndërhyrjeve në vite në legjislacion, ka të shkruar legjislacionin më të ashër, ose nga më të ashprit.
Çështja është zbatimi i legjislacionit dhe ajo që përbën një fatkeqësi për ne në shumë vite, është pikërisht papërgjegjshmëria e trupave gjykues në raport me individë që kanë kryer krime deri dhe ekstreme, por edhe krime që në mos me vrasje, kanë rezultuar në përdhunime, në dhunë ndaj grave dhe që janë lënë të lirë në sallën e gjyqit apo kanë marrë dënime shumë herë më të ulëta se sa parashikon legjislacioni dhe pastaj i kanë përsëritur ato, duke shkaktuar dhimbje dhe plagë krejtësisht të panevojshme dhe të evitueshme.
Patjetër që mundësitë për të rishikuar legjislacionin janë gjithmonë, por këtu thelbi është ngritja e trupave gjykues në nivelin e legjislacionit. Ne kemi legjislacion përgjithësisht të standardeve të mira të shoqërive demokratike dhe sfida nuk është të shkruhen më shumë ligje, sfida është të zbatojmë ligjet.
Kemi një studim në dorë, me Ministrinë e Brendshme për të gjitha rastet përsëritëse, do ta bëjmë publik së shpejti dhe kemi një numër jo të vogël rastesh përsëritëse në vite, nuk flas vetëm për vitet e fundit, në vite, të cilat janë flagrante në aspektin e papërgjegjshmërisë deri dhe ekstreme të trupave gjykues.
Në të njëjtën kohë, jemi duke reflektuar për një ndërhyrje në legjislacion, që nuk lidhet me rastin konkret apo nuk është rezultat i rastit konkret, të cilën do ta përfshijmë në konsultimin kombëtar që unë e kam lajmëruar ku do të pyesim popullin për një sërë çështjesh me një rëndësi të veçantë, për të marrë një opinion të gjerë përtej partive, duke dëshiruar që të hedhim disa hapa të guximshëm sëbashku e duke synuar që ta ngremë nivelin e dëgjimit të njëri-tjetrit mes qeverisë dhe popullit në një nivel tjetër. Nuk mund t’ju them konkretisht sot sepse jemi duke i formuluar pyetjet për qytetarët, por pikërisht në këtë aspekt synojmë të adresojmë përsëritjen, ndërsa në rastin konkret, e kam parë me shumë vëmendje të gjithë atë çka ka referuar Policia e Shtetit lidhur me dinamikën e kësaj ngjarje, por edhe profilin e autorit. Nuk është rasti tipik në fakt i përsëritësve të liruar papërgjegjshmërisht sepse shumë vite më parë, autori është ndaluar për heqje të paligjshme të lirisë të një personi dhe e ka marrë një dënim të cilin dhe e ka kryer. Sigurisht, mbetet pastaj çështje e diskutueshme nëse dënimi ka qenë i mjaftueshëm ose jo, por ka kryer disa vite dënim. Është realisht tragjike, por siç e thashë, këto janë ngjarje ekstreme, të cilat nuk janë evituar në asnjë vend të botës e nuk evitohen 100% sido që t’i shkruash ligjet edhe sado në lartësinë e ligjit të jenë trupat gjykues”, tha Rama.
Si ndodhi ngjarja?
Një ditë më parë Fieri u trondit nga grabitja dhe vrasja e 8-vjeçarit Mateo Vasiu nga Klodian Çalamani. Në lidhje me ngjarjen u arrestua nga Policia e Fierit, Klodian Çalamani, pasi 8-vjeçari është parë nga banorët e lagjes duke bërë xhiro me biçikletën e tij. Kjo ka hedhur dyshime tek policia, e cila menjëherë ka nisur hetimet.
Vetëm pak minuta më vonë është arritur të ndalohet 38-vjeçari Klodian Calameni, i cili e pranoi vrasjen dhe tregoi se e kishte groposur trupin në oborrin e shtëpisë. Rrethanat e këtij akti makabër janë ende të paqarta, ndërsa pritet zbardhja e dëshmisë së autorit.
Sot janë hapur dyert e mortit në familjen e të miturit, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje.
Kush është Klodian Çalamani?
Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo jo pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën. Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak. Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Në atë kohë, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës në vitin 2009.
Top Channel