
Një fëmijë 10 vjeç me nënë shqiptare në Itali është viktima e një krimi makabër që tronditi vendin.
Matias u qëllua për vdekje me thikë në fyt nga babai i tij, një 44 vjeçar polak Mirko Tonkov, i cili ishte arratisur nga spitali e duket po kërkonte mënyrën për të ndëshkuar bashkëshorten. Gruaja e kishte denoncuar më parë për dhunë në familje nën efektin e alkoolit.
Rindërtimi fillestar i ngjarjes tregon se Tonkov ndodhej në spitalin e Belcolle di Viterbo, ku ishte shtruar pas prekjes nga Covid-19, por është larguar prej andej.
Ai është parë fillimisht përpara shkollës së djalit dhe sipas dëshmitarëve okularë, dukej mjaft i trazuar. Pastaj ka marrë drejtimin e banesës ku e shoqja, me të cilën ende nuk ishte ndarë ligjërisht, jetonte me djalin.
Hetuesit po përpiqen të kuptojnë se çfarë ndodhi saktësisht ndërmjet orës 13.00, kur djali mbaroi mësimin dhe e shoqëroi një i afërm në shtëpi, dhe orës 15.30 kur e ëma u kthye në shtëpi dhe e gjeti fëmijën të vdekur.
Gruaja është shtruar në spital në gjendje shoku. 44-vjeçari duket se nuk e pranonte ndarjen dhe ka dashur ta ndëshkojë të shoqen në mënyrën më të tmerrshme.
Top Channel