Rreth 50 mijë protestues kanë mbushur këtë të mërkurë rrugët e Athinës në kujtim të 48 vjetorit të revoltës studentore që u shtyp me tanke nga junta ushtarake. Protesta deri më tani ka vazhduar e qetë, ndërsa 6 mijë efektivë policie kanë zbritur në terren.
Protestuesit kanë hedhur parulla kundër qeverisë greke dhe SHBA-së, por nuk kanë shfaqur akte dhune.
Në politeknikumin e Athinës që prej mëngjesit të mërkurës mijëra qytetarë vendosin lule dhe kurora në kujtim të studentëve që humbën jetën në ato ditë të errëta të 17 nëntorit të 1973.
Edhe presidentja e vendit Katerina Sakelaropoulou zgjodhi orët e mëngjesit për të vendosur kurorën e saj.
Mes të pranishmëve ndodheshin edhe disa anëtarë të grupimeve anarkiste, të cilët hodhën parulla kundër qeverisë dhe presidentes, por situata nuk u përshkallëzua më tej.
Policia greke ka vënë në alarm më shumë se 6000 forca policore,helikopterë dhe dronë për ruajtjen e sigurisë,ndërsa shumë rrugë janë mbyllur në qendër të Athinës.
Autoritetet njoftuan mbylljen e disa stacioneve të metrosë, ndërsa gjatë orëve të pasdites janë paralajmëruar protesta të cilat kulmojnë me protestën e përvitshme jashtë ambasadës amerikane.
Ndërkohë autoritetet shëndetësore u kanë bërë apel pjesëmarrsve në protesta,që të marrin masa mbrojtëse për të shmangur përhapjen e covid,pasi shifrat e infektimeve janë teper alarmante.
Një ditë më parë u diagnostikuan me Covid më shumë se 8.129 persona, ndërsa sistemi shëndetësor grek ndodhet një hap larg kolapsit.
Top Channel