Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një intervistë në emisionin “Top Talk” në Top Channel, ka deklaruar se Kuvendi Kombëtar i PD-së do të mbahet në datën 18 dhe në të janë të mirëpritur të gjithë të diskutojnë shqetësimet e tyre në lidhje me partinë.
Sa i përket axhendës së Kuvendit, Alibeaj theksoi se në atë Kuvend mund të futen edhe çështje jashtë rendit të ditës.
“Në 18 dhjetor do të ketë Kuvend të PD-së. Nuk ka dy Kuvende, s’ka se si të ketë. Ka pasur një fushatë për mbledhje firmash me idenë për të kërkuar thirrjen e Kuvendit. Procedura në datën 11 pranë zyrave të PD, u prit që shqetësimi i atyre delegatëve dhe ajo kërkesë të finalizohej, protokollohej dhe më pas të ndodhte vendimi i Kryesisë.
Duke qenë se në 11 erdhën fizikisht por jo atje ku duhej, ne i nxorëm nga kasaforta. Në Kuvend diskutohet gjithçka. Dje në mbledhjen e Kryesisë pati edhe një propozim që ishte projektaxhendë i asaj çfarë u nis gjatë fushatës. U propozua që të bashkoheshim në një axhendë në Kuvendin e 18 dhe kjo u refuzua. Në Kuvendin e 18 dhjetorit çdokush nga delegatët ka të drejtë të diskutojë për të gjitha shqetësimet që ai do të ketë”, tha Alibeaj.
Top Channel