Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe drejtorin e “Fondacionit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan” (AADF), Michael Granoff, inspektuan punimet e deritanishme te Piramida, e cila po shndërrohet në qendrën më të madhe të teknologjisë në vend.
Veliaj bëri me dije se deri tani është bërë 30% e punës, teksa shtoi se pjesa jashtë e Piramidës do të mbushet me pemë.
“Këtë vit duhet të ecim me një ritëm shumë të shpejtë, që të mbyllim edhe detajet e tjera. Plani është që të hapet tetorin e ardhshëm. Njerëzit do të kenë mundësi të ngjiten edhe lart dhe të shohin gjithë panoramën e qytetit”, nënvizoi Veliaj gjatë inspektimit.
Projekti i rijetësimit të Piramidës parashikon një godinë transparente dhe plot dritë. Gjithashtu, projekti synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët. Piramida do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kreativitetit. Programet që do të ofrohen janë: animacion, zhvillimi i lojërave, kinematografia, ëeb design, muzikë, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelimi 3D, programim, robotikë, grafika e lëvizjes, fotografi dhe media e re. Ky projekt po realizohet me mbështetjen e “Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan” (AADF).
Top Channel