Asnjë degë e ekonomisë nuk bën dot pa ndërtimin, tha deputetja Luljeta Bozo, në fjalën e saj për projekt buxhetin e vitit 2022 në kuvend.
Ajo vuri theksin te rëndësia e ndërtimeve cilësore dhe kontrolleve, që do të shmangnin tragjedi si ajo e tërmetit të 26 nëntorit 2019.
“Në këtë buxhet me shifrat e të cilit janë njohur të gjithë i jepet rëndësi të veçantë infrastrukturës ujore, ajrore, ujësjellësve, energjetikes. I jepet rëndësi e veçantë menaxhimit të mbetjeve. I jepet një rëndësi e veçantë rrjetit të komunikimit. Por që ky buxhet të japë efektet e veta të pritshme, besoj se duhet të insistojmë pa shtuar shifra në buxhet”.
Sipas Bozos, është urgjente të miratohet urdhri i inxhinierit dhe arkitektit, i cili do të rregullojë funksionimin ligjor të procedurave në fushën e ndërtimit, në dhënien e licencave, ku do të jenë të shkruara qartë.
“Në këtë fushë do të punojnë profesionistë të vërtetë. Ne pësuam një katastrofë të madhe në nëntor të 2019. Nga kjo e keqe nuk kemi nxjerrë mësimet e duhura. Çdo ditë dëgjojmë për aksidente të shumta, që shoqërohen me humbje jete dhe gjymtime. Veç faktorëve të tjerë këtu përgjegjësi ka ndërtimi, që s’ka qenë në lartësinë e duhur për të garantuar sigurinë rrugore. Duhet forcuar jo vetëm rregullat, por edhe zbatimi i tyre”.
Buxheti për vitin 2022 arrin në 5.2 miliardë euro dhe parashikon një nivel ambicioz të ardhurash prej rreth 4.4 miliardë euro apo 537 miliardë lekë.
Qeveria pret që ekonomia vitin e ardhshëm të arrijë në 4.1%, ndërsa synon uljen e borxhit publik në 78.9.
Ndërsa sa i takon paketës fiskale, ndryshon ligji për TVSH-në, ku hiqet kompensimi 6% për fermerët, rivendoset taksa 10% për imputet bujqësore dhe vendoset tavan i ri për investimet në bujqësi që përjashtohen nga pagesa e TVSH-së.
Top Channel