Kompania e ilaçeve, Pfizer, ka nënshkruar marrëveshje për të lejuar që pilula e saj eksperimentale kundër koronavirusit të prodhohet dhe të shitet në 95 kombe në zhvillim.
Kjo marrëveshje me organizatën Medicines Patent Pool, mund ta bëjë të qasshme pilulën për 53 për qind të popullsisë botërore.
Mirëpo në listë nuk përfshihen disa shtete që kanë përhapje të madhe të koronavirusit, përfshirë Brazilin, Rusinë, Kinën, Argjentinën dhe Tajlandën.
Pfizer ka thënë se pilula e saj zvogëlon rrezikun e sëmurjes së rëndë te personat më të cenueshëm.
Përmes një deklarate të martën, Pfizer ka thënë se marrëveshja do t’iu mundësojë prodhuesve lokalë të ilaçeve që të prodhojnë pilulën “me qëllim të shtrirjes më të gjerë te popullsia globale”.
Pfizer ka thënë se nuk do të marrë të hyrat nga patenta kur ilaçet të shiten në vendet më të ardhura të ulëta dhe ka thënë se do të heqë pagesat për patenta në të gjitha kombet e përfshira në marrëveshje, derisa koronavirusi të përbëjë emergjencë për shëndetin publik, meqë e tillë është shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në fillim të muajit nëntor, Pfizer ka thënë se testimet klinike kanë treguar se pilula e saj kundër koronavirusit, Paxlovid, zvogëlon për 89 për qind rrezikun e shtrirjes në spital, për pacientët me rrezik të lartë.
Disa ekspertë kanë thënë se kjo marrëveshje nuk është e mjaftueshme për të adresuar pabarazitë.
Organizata, Mjekët pa Kufij, ka thënë se është e “zhgënjyer” që marrëveshja nuk i bën pilulat e Pfizerit të qasshme në gjithë botën, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Top Channel