Një punonjës ka humbur jetën dhe 2 të tjerë janë plagosur nga përplasja e dy vagonëve të trenit elektrik të Athinës.
Çdo gjë filloi rreth orës 05.00 të mëngjesit, në kohën që punonjësit e mirëmbajtjes po testonin shinat e linjës së trenit Pire-Kifisa, në kohën që vagonit në të cilin po punonin tre punonjësit iu këputen frenat.
Vagoni nisi të zbresë me shpejtësi drejt Pireut, ndërsa punonjësit në të u hodhën në kohën që vagoni lëvizte me shpejtësi. Njëri prej tyre, 41 vjeç gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa dy të tjerët morën plagë të rënda por ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Udhëtimi i pa kontrolluar i vagonit u ndalua në stacionin Ajos Nikolas, ku vagoni u përplas me një tjetër vagon që punonjësit vendosën në shina për të shmangur ndonjë përplase fatale me banesat nëse vagoni do të dilte nga shinat.
Për momentin lëvizja e trenave në linjën Pire-Kifisia është ndërprerë. Operatori i trenave elektrikë njoftoi se do të risjellë gradualisht normalitetin në linjë, ndërsa në zonë ndodhen ekipet teknike për pastrimin e zonës.
Top Channel