Më shumë se tre orë zgjati takimi virtual i presidentit amerikan Joe Biden me homologun e tij kinez, Xi Jingping, ku të dyja palët dëshmuan synimet e tyre për të stabilizuar marrëdhëniet SHBA-Kinë e për të shmangur rrezikun e një lufte.
“Më duket se është përgjegjësia jonë, si udhëheqës të dy vendeve të mëdha të sigurohemi që konkurrenca mes tyre të mos përfundojë në konflikt”, u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë. Biden e bëri të qartë që në fillim se priste transparencë nga pala tjetër.
“Më duket se ne duhet të vendosim disa kufij të arsyeshëm, të jemi të qartë dhe të sinqertë aty ku nuk pajtohemi dhe të punojmë së bashku aty ku afrohen interesat tona, veçanërisht për çështjet jetike globale si ndryshimi i klimës”.
Xi e nisi fjalën e tij duke e quajtur Bidenin “mik të vjetër” dhe tha se SHBA-ja e Kina duhet ta shtojnë bashkëpunimin.
“Ne duhet ta respektojmë njëri-tjetrin, të bashkë-ekzistojmë në paqe dhe të kemi një bashkëpunim nga i cili të përfitojmë të dyja palët”, ishte komenti i tij.
Por nuk vonoi që çështjet delikate të hidheshin në tryezë. Presidenti amerikan theksoi se Shtetet e Bashkuara i kundërvihen me forcë ndryshimin të njëanshëm të statusit të Tajvanit që do të minonte paqen dhe stabilitetin në të gjithë zonën.
Ndërkohë sipas Xi, autoritetet e ishullit kanë kërkuar vazhdimisht mbështetjen e SHBA-së për pavarësinë dhe disa persona në SHBA kërkojnë të përdorin Tajvanin për të kontrolluar Kinën, një tendencë kjo të cilën kreu i shtetit kinez e përshkroi si shumë të rrezikshme. Kujdes, kush luan me zjarrin, digjet, ishte komenti i tij.
Top Channel