Për tre vite lobim në SHBA, Dhoma Ekonomike e Serbisë i ka paguar 1.3 milionë dollarë kompanisë “Yorktown Solutions LLC”, dhe deri në fund të vitit 2022 do të ndajë edhe gjysmë milioni dollarë për shërbimet e saj pretendon media serbe Nova.rs, e cituar nga shtypi në Kosovë.
Sipas saj, në listën e kontakteve të cilat kompania lobuese i raportoi për Serbinë, përfshihen Richard Grenell, i dërguari special i atëhershëm i presidentit amerikan për Serbinë dhe Kosovën, dhe Matthew Palmer, në atë kohë përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor.
Ajo thotë me tej se në regjistrin zyrtar amerikan FARA, në të cilin janë regjistruar të gjithë lobistët nga SHBA dhe janë publikuar kontratat e tyre, nuk ka asnjë informacion sakaq se Qeveria e Serbisë ka bërë marrëveshje me një kompani lobimi në atë vend.
Por Nova pretendon se Dhoma Ekonomike e Serbisë, ka lidhur disa kontrata me “Yorktown Solutions” për vitet 2019, 2020, 2021 dhe 2022 – më e fundit e të cilave është nënshkruar vetëm tetë ditë më parë.
Sipas dokumentit, kompania është e detyruar të ofrojë “këshilla strategjike në lidhje me temat e trajtuara nga SCC, të cilat ndikojnë në marrëdhëniet ekonomike SHBA-Serbe”.
Këtu hyjnë “çështjet e menaxhimit dhe çështjet e qeverisë, të cilat pritet të përfshijnë kontakte me zyrtarë të qeverisë amerikane dhe përfaqësues të sektorit privat përkatës”.
Grenell i ka mohuar më herët me forcë pretendimet se analistit serb Dushan Janjiç se është paguar nga Serbia 100 mijë dollarë në muaj.
Top Channel