Gjermania pezullon certifikimin e gazsjellësit rus

16/11/2021 15:38

Rregullatori federal gjerman i energjisë tha se ka ndaluar përkohësisht procesin e miratimit të gazjesllësit rus “Rrjedha Veriore 2”.

Përmes këtij gazsjellësi Rusia synon ta furnizojë Gjermaninë me gaz natyror.

Agjencia Federale e Rrjetit (Bundesnetzagentur), njoftoi më 16 nëntor se ka pezulluar procedurën e certifikimit për gazsjellësin, punimet e së cilit kanë përfunduar gjatë periudhës së fundit.

Rregullatori gjerman arriti në përfundimin se “do të ishte e mundur të certifikohej një operator i gazsjellësit Rrjedha Veriore 2 vetëm nëse ai është i organizuar sipas ligjit gjerman”.

Sipas agjencisë një degë e krijuar për të administruar pjesën gjermane të gazsjellësit nuk i plotësonte kushtet për të qenë një “operator i pavarur transmetimi”.

Vendimi i rregullatorit ndodhë pasi Evropa po përballet me rritjen e çmimit të energjisë. Një të tretën e furnizimeve me gaz Evropa e ka nga Rusia.

Tubacioni rus do të dyfishojë furnizimet me gaz rus në Gjermani.

Autoritetet gjermane kanë thënë se tubacioni është i nevojshëm për ta ndihmuar vendin të shmang qymyrin dhe energjinë bërthamore.

Gjermania është ekonomia më e madhe evropiane.

Por, kritikët thonë se gazsjellësi do të rrisë varësinë energjetike të BE-së nga Rusia, ndërkohë që do t’i mundësojë Moskës të shmang Ukrainën, duke i pamundësuar këtij vendit të përfitojë miliarda dollarë në vit tarifa tranziti./rel

Top Channel