Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se Libani do të dalë më i fuqishëm nga kriza, siç ka ndodhur në të kaluarën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një kolumnë për të përditshmen libaneze Al Joumhouria (Republika), Çavuşoğlu citoi një thënie të famshme të poetit mistik të shekullit të 13-të, Mevlana Rumi, i cili thotë “ka shpresë pas dëshpërimit dhe shumë diej pas errësirës”.
Që nga fundi i vitit 2019, Libani është përballur me sfida të rënda të brendshme, përfshirë zhvlerësim të monedhës kundrejt dollarit, së bashku me mungesat e karburantit dhe ilaçeve.
Shkrimi i Çavuşoğlu i titulluar “Ne qëndrojmë me Libanin” kujton shpërthimin e tmerrshëm të gushtit të vitit 2020 në Portin e Bejrutit që shkaktoi vdekjen e më shumë se 200 njerëzve. Ai tha se ka parë citimin e poetes së ndjerë libaneze, Nadia Tueni, në një nga ndërtesat e dëmtuara që thoshte: “Bejruti ka vdekur një mijë herë dhe është rilindur një mijë herë”.
Qeveria e re libaneze e udhëhequr nga Najib Mikati u formua në muajin shtator, duke i dhënë fund një vakum pushteti prej më shumë se një viti. Ish-kryeministri Hassan Diab dha dorëheqjen pas shpërthimit të portit.
Kryediplomati turk gjithashtu shkroi për mbështetjen e Turqisë në rindërtimin e Bejrutit menjëherë pas shpërthimit, duke theksuar se vendi i tij vazhdon të mbështesë dhe të ndihmojë popullin e Libanit.
Duke theksuar marrëdhëniet e rrënjosura thellë midis dy vendeve, Çavuşoğlu tha se, “Turqia do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj për prosperitetin dhe mirëqenien e vendit vëllazëror Libanit”./AA/
Top Channel