Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell po shpreson t`i mbledhe bashke kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, për një takim para fundit të vitit.
Pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, Borrell tha se pjesë e diskutimeve ishin edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Shpresoj të kemi edhe një takim në nivelin e lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, para fundit të vitit. Kjo është ftesa ime për ta”, u shpreh ai.
Kryediplomati europian shtoi se ministrat e Jashtëm presin që Prishtina dhe Beogradi të përmbushin marrëveshjet e arritura në bisedime, ndërsa shfaqi shpresën për përkushtim të palëve për të hedhur hapa të tjerë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Kosova dhe Serbia kanë ngecur në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimet evropiane dhe të dy udhëheqësit janë takuar dy herë, por pa ndonjë përparim.
Delegacionet e të dyja palëve pritet të takohen sot për të diskutuar mes tjerash zbatimin e marrëveshjes për përdorimin e targave të automjeteve, mospajtimet rreth të cilave çuan në tensione të larta në fillim të vjeshtës.
Top Channel