Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë kontrolluar deri më tani nga vetting ka shkuar në 460 subjekte. Këtë të hënë ishte radha e gjyqtares së Elbasanit, Enkeleida Kapedani, e vënë në qendër të vëmendjes pak muaj më parë për shkak të një video të publikuar në platformën Tik Tok.
Enkeleida Kapedani u ballafaqua në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për të treja kriteret, pasurinë, aftësitë profesionale dhe integritetin. Por ndërsa komisionet vlerësuan se gjyqtarja i justifikon të ardhurat për blerjen e një apartamenti, magjistrates ju drejtuan pyetje për një automjet kamion të blerë nga bashkëjetuesi dhe më pas të shitur për 32 mijë euro.
Për këtë shkak, asaj ju kërkua të dorëzojë dokumenta shtesë para datës 19 nëntor kur do shpallet vendimi. Gjyqtarja shpreson të mos paragjykohet nga publikimi i videove në Tik Tok, për të cilat akuzoi persona të pakënaqur nga drejtësia dhe gjykimet e Kapedanit duke sjellë hakmarrje në jetën personale. Por pyetjes së Komisionerëve mbi këta individë, gjyqtarja ju përgjigj se kjo është një cështje e akuzës për tu hetuar.
Për sekuencat e bëra publike në Tik Tok, gjyqtarja kujtoi vendimin e KLGJ që e pezulloi nga detyra dhe për këtë arsye “nuk mund të gjykohem dy herë për të njëjtin fakt”, u shpreh magjistratja e Elbasanit. Enkeleida Kapedani dha përgjigje për lirimin e të dënuarit Viktor Ymeri, duke akuzuar trupën gjyqësore të Apelit Durrës që zbuti dënimin e përjetshëm ndaj tij dhe e zbriti dënimin në 25 vjet burg.
“Kur dosja u soll në Elbasan për shuarje dënimi, këtij shtetasi i kishin mbetur vetëm një muaj e 23 ditë, ndaj dhe fajtorët duhet ti kërkoni gjetkë”, sugjeroi Kapedani.
Top Channel