Kuba shtyp disidentët para protestës së planifikuar

15/11/2021 16:21

Agjentët e sigurisë shtetërore kubane e kanë izoluar në shtëpi organizatorin e mitingjeve pro-demokratike.

Forcat e sigurisë rrethuan shtëpinë e Yunior Garcia-s dhe të aktivistëve të tjerë. Në një intervistë telefonike me BBC-në, Garcia tha se lidhja e tij në internet ishte ndërprerë.

Partia Komuniste në pushtet i ka ndaluar protestat, të cilat sipas saj janë një përpjekje e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për të përmbysur qeverinë.

Tubimet publike të paautorizuara janë të paligjshme në Kubë dhe ata që marrin pjesë rrezikojnë të burgosen.

Në muajin korrik është mbajtur një valë e protestave mirëpo autoritetet i shtypën ato dhe arrestuan shumë njerëz.

Mijëra njerëz morën pjesë në ato protesta duke brohoritur “liri” dhe “poshtë diktatura”. Pjesëmarrja masive tregoi nivelin e pakënaqësisë që shumë njerëz në Kubë e ndjejnë pas më shumë se gjashtë dekadave të sundimit komunist.

Pas protestave të korrikut dhe arrestimeve që pasuan, Garcia krijoi një grup në Facebook të quajtur Archipielago, përmes së cilit kërkonte leje zyrtare për të organizuar demonstrata paqësore në kryeqytetin kuban, Havana dhe qytete të tjera.

Aktivistët antiqeveritar kërkojnë më shumë të drejta dhe lirimin e të burgosurve politikë.

Top Channel