Në Kosovë sot qytetarët votojnë për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave, përfshirë edhe atë të kryeqytetit, Prishtinës.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 24 për qind e votuesve.

Të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.

Vendvotimet për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale do të mbyllen në ora 19:00.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përmes postës 1,571 pako të supozuara me fletëvotime nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ka votuar, ka thënë se “detyrimi qytetar për kontribuuar në demokracinë e vendit tonë nuk ka përfunduar më 17 tetor, shkruan REL.

“Sot është ditë po aq e rëndësishme, e cila përcakton fatin e komunave ku gjithsecili prej jush dhe prej nesh jeton, prandaj është shumë me rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen këtij detyrimi në mënyrë që nesër të kenë më shumë të drejta dhe kualitet më të madh të jetës në komunat ku ata jetojnë”, ka theksuar presidentja Osmani.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë pas votimit se zgjedhjet komunale janë të rëndësishme, pasi “komuna është shumë e rëndësishme – në njërën anë është publikja e lagjes dhe në anën tjetër është qeliza e Republikës”.

Ai i ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre përmes udhëheqësve, të cilët do të zgjedhin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA