​Kurti: Kosova me këto zgjedhje përmbyll një vit të suksesshëm elektoral

14/11/2021 11:59

Kryeministri Albin Kurti ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Juridik.

Pasi ushtroi të drejtën e tij kushtetuese të votës, Kurti tha se meqenëse është moti i bukur presin pjesëmarrje masive në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Shefi i qeverisë kosovare u shpreh se Kosova po përmbyll një vit të suksesshëm elektoral duke dëshmuar se është shtet demokratik që respekton të drejtat e qytetarëve.

Ai po ashtu tha se të gjithë mekanizmat shtetërorë do kujdesen për mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor.

“Unë si qytetar I Republikës dhe banor i kryeqytetit posa vota dhe posa e ushtrova të drejtën demokratike për të zgjedhur për kryetarin e komunës që do të qeverisë në katër vjetët në vijim. Komuna është shumë e rëndësishme, në njërën anë është publikja e lagjes dhe në anën tjetër është gjithashtu edhe qeliza e Republikës, andaj i inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë mundësinë ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre nëpërmjet udhëheqësve që zgjedhin sot. Moti është i bukur dhe pa të reshura, andaj pjesëmarrja sa më masive është e pritshme, mekanizmat shtetërorë do të kujdesen për mbarëvajtjen e procesit me respektim të ligjit dhe zbatim të rregullave. Më 14 nëntor, sot mund të themi se e përmbyllim një vit të suksesshëm dhe të mirë elektoral… Kosova ka dëshmuar se është një shtet demokratik në të cilin respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe ku ata në mënyrë të lirë dhe ndershme zgjedhin ata të cilët do zgjedhin në vijim për neve”, tha Kurti.

I pyetur se a do i mbështetet të gjithë kryetar e komunave të Kosovës pavarësisht subjektit politik, shefi i ekzekutivit u shpreh se dje kishte heshtje zgjedhore e sot flasin qytetarët.

“Fushata ka përfunduar dje në ora 07:00 të mëngjesit dje kishim heshtje zgjedhore sot flasin qytetarët”, tha Kurti.

Sot në 21 komuna të Kosovës mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Të drejtë vote kanë 1.260.571 qytetarë ose rreth 33% më pak se në raundin e parë. Qytetarë mund të votojnë në 575 qendra të votimit, përkatësisht 1638 vendvotime. /KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA