
Holanda riktheu izolimin e pjesshëm për tre javë në vazhdën e luftës kundër koronavirusit, teksa sëmundja vazhdon përhapjen me ritme shqetësuese në kontinentin e vjetër.
Kryeministri Mark Rutte sqaroi se masat e karantinës do të prekin dyqanet, aktivitetet sportive dhe restorantet.
Një lëvizje e tillë drastike, sipas tij, është përgjigje ndaj shkallës rekord të infektimit dhe rritjes së numrit të personave të shtruar në spitale.
Rutte sqaroi se izolimi hyn në fuqi mbrëmjen e së djelës. Kjo masë merret pavarësisht faktit që shumica e popullsisë holandeze është vaksinuar.
Të gjitha dyqanet jo të domosdoshme do të mbyllen në orën 18:00, ndërsa ato ushqimore, baret dhe restorantet në orën 20:00. Është kërkuar po kështu që njerëzit duhet të punojnë nga shtëpia sa më shumë që është e mundur.
Pavarësisht nivelit të lartë të imunizimit, shumë vende të Evropës po përballen me rritje drastike të rasteve pas ftohjes së motit.
Austria po ashtu pritet të kufizojë lëvizjet e personave të pavaksinuar, ndërsa Danimarka ka rikthyer kërkesën për certifikatë të vaksinës, ndonëse në muajin shtator pati thënë se COVID-19 nuk është më sëmundje “kritike”.
Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha se situata po vazhdon të përkeqësohet dhe futi nëntë shtete – Poloninë, Holandën, Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Greqinë, Hungarinë dhe Slloveninë – në kategorinë e vendeve që paraqesin shqetësim të lartë.
Top Channel