Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dënuan Bjellorusinë për atë që ata e quajtën “instrumentalizim cinik i emigrantëve”, ndërsa tensionet po vlojnë përgjatë kufirit të Polonisë me Bjellorusinë.
“Ne (Shtetet e Bashkuara, Britania, Estonia, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria) e dënojmë instrumentalizimin e orkestruar të qenieve njerëzore, jetët dhe mirëqenia e të cilëve janë vënë në rrezik për qëllime politike nga Bjellorusia, me synimin për të destabilizuar vendet fqinje dhe kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe për të larguar vëmendjen nga shkeljet e saj në rritje të të drejtave të njeriut”, tha ambasadori i Estonisë, Sven Jürgenson, në emër të shtatë vendeve perëndimore, i cituar nga VOA.
Vala e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afganistani u rrit ndjeshëm, pasi Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Minskut, i cili në muajin maj detyroi uljen e një avioni komercial që fluturonte mbi territorin bjellorus. Autoritetet arrestuan një gazetar të opozitës bjelloruse dhe të dashurën e tij, me të zbritur nga avioni.
Tani mijëra emigrantë që kanë udhëtuar legalisht në Bjellorusi, po përballen me një fat të pasigurt dhe temperatura të ulëta përgjatë kufirit me Poloninë. Të martën, Polonia mbylli një vendkalim kufitar me Bjellorusinë pasi emigrantët u përpoqën të kalonin në territorin polak.
Vendet evropiane dhe baltike akuzojnë presidentin bjellorus, Aleksandër Lukashenko, për joshjen e emigrantëve në vendin e tij dhe më pas lehtësimin e udhëtimit të tyre në kufi, për t’i dërguar në Poloni, Lituani dhe Letoni.
Emigrantët shtrojnë kërkesa për strehim kur arrijnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Top Channel