Zoran Zaev duhet të kishte dorëzuar dorëheqjen në Kuvendin e Maqedonisë një ditë më parë, por në vend të kësaj, vendosi që ta shtyjë dhe për pak largimin e tij nga posti i kryeministrit.
Zaevi e deklaroi dorëheqjen në 31 tetor për shkak të humbjes së thellë të partisë së tij në zgjedhjet lokale. Por organet më të larta të LSDM-së vendosën mbrëmjen e se hënës që dorëheqja e Zaevit të shtyhet, për shkak të “gjendjes në të cilën ndodhet vendi”.
“Organet e partisë vendosëm njëzëri shtyrjen e dorëheqjes deri në zgjidhjen e situatës. Pas shumë vitesh regjimi, shteti është ndërtuar mbi vlera të vërteta demokratike dhe liridashëse me parime të bashkëjetesës. LSDM-ja po ngrihet në lartësinë e asaj detyre dhe do të punojë në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Pero Kostadinov, anëtar i kryesisë të LSDM-së.
Ai nuk saktësoi se për sa kohë do të shtyhet dorëheqja e Zaevit, por tha se Maqedonia e Veriut ndodhet para sfidave të mëdha, përfshirë dhe pritjet për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Kostadinov nuk foli as për nismën e opozitës për mocionin e votëbesimit të qeverisë apo nëse shumica ka vota të mjaftueshme për t’i mbijetuar mocionit.
Seanca e kuvendit është caktuar për të enjten, por jozyrtarisht bëhet e ditur se ajo mund të shtyhet për të shtunën për shkak të një nisme të re.
Top Channel