Erdogan “ia mbledh” liderit serb: S’ka luftë tjetër në Bosnje!

10/11/2021 14:27

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u takua në Ankara me anëtarin serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, të cilit duket se i ka përcjellë mesazhe të qarta.

Kjo nënkuptohet nga deklarata që Dodik bëri pas takimit. Edhe pse nuk pati shumë detaje se çfarë kanë diskutuar dy liderët, Dodik tha për Radion Republika Sërpska se “ata janë pajtuar se paqja nuk ka alternativë”. Ai është bindur se “kërcënimi me forcë nuk mund të zgjidhë asnjë problem.

Erdogan është në dijeni të situatës në Bosnje dhe ky takim ishte një mundësi për t’ia paraqitur atë dhe nga këndvështrimi ynë. Kërkojmë mirëkuptim për proceset politike”, tha Dodik. Lideri serbo-boshnjak udhëtoi drejt Ankarasë të hënën, pas takimit që zhvilloi me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar qëndroi për vizitë në Bosnje në kohën kur ky vend është përfshirë nga kriza politike, pasi përfaqësuesit e Republikës Sërpska, entitet i banuar me shumicë serbe, nuk janë duke marrë pjesë në punën e institucioneve shtetërore. Bojkotimi ka nisur qysh në fund të korrikut, kur ish-përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje.

Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit, ndërsa Dodik po kërcënon tani me ndarjen e këtij entiteti nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA