Kosovë/ 19 raste të reja me koronavirus, asnjë humbje jete

07/11/2021 15:55

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka njoftuar se të dielën, më 7 nëntor, janë regjistruar 19 raste me koronavirus, pas testimit të 2.174 mostrave.

Në 24 orët e fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë.

Autoritetet shëndetësore kanë thënë se më 7 nëntor, pesë persona janë shëruar derisa 460 persona janë ende aktivë në koronavirus.

Ndërkohë, Shtabi i Krizës i Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili përfshin të dhënat nga të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë, ka njoftuar të shtunën, më 6 nëntor, se në dy ditët e fundit në këto komuna janë regjistruar dy viktima dhe 76 raste të reja.

Sistemi shëndetësor në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë është krejtësisht i ndarë nga sistemi shëndetësor qendror i Prishtinës zyrtare.

Prej shpërthimit të pandemisë në mars të vitit 2020, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka regjistruar mbi 160.000 raste të infektimit.

Prej tyre 2.978 persona kanë vdekur.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë të ditura të dhënat për vaksinim në periudhë 24-orëshe.

Deri më 6 nëntor, 739.997 persona janë vaksinuar plotësisht kundër këtij virusi derisa 841.269 persona kanë marrë dozën e parë.

Kjo i bie që deri në atë datë është vaksinuar plotësisht 41.1 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Top Channel