Policia ka ngritur dyshime të forta këtë të shtunë se autor i vrasjes së biznesmenit Ruzhdi Hoxha është shtetasi Ferdinant Rrushi.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka raportuar se Rrushi është arrestuar nga policia, ndërsa rezulton që është personi i fundit që ka takuar biznesmenin.
Ai pretendon se e ka lënë Ruzhdi Hoxhën në banesën e tij, në zonën e 3-shit në Tiranë dhe më pas është larguar me automjetin e tij drejt banesës.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se automjeti sapo është larguar nga një degëzim i autostradës në afërsi të një lokali, ka vijuar udhëtimin drejt Dajtit.
Pikërisht në këtë zonë pas 10 ditë kërkimesh, policia me qentë e gjurmës gjeti në Qafë-Mollë, mbrapa Dajtit, në një greminë, trupin e pajetë të Ruzhdi Hoxhës, i mbuluar me zhavorr e gurë.
“Si rezultat i kërkimeve dhe punës hetimore 10 ditore të bërë nga grupi hetimor në Sektorin për Krimet e Rënda në DVP Tiranë u bë e mundur grumbullimi i provave për autorësinë e kësaj ngjarje dhe mesditën e djeshme si rezultat i kërkimeve, shërbimet e policisë bënë të mundur që në zonën e Dajtit të gjenin një xhup ku pas verifikimeve rezultoi se i përkiste shtetasit Ruzhdi Hoxha”, citohet nga deklarata e policisë.
Policia tha se trupi i pajetë do transportohet në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.
Në njoftimin e saj, policia thekson se si rezultat i punës hetimore është bërë e mundur zbardhja e autorësisë së kësaj ngjarje, ku dyshohet se shtetasi Fredi Rrushi, i arrestuar më datë 26 tetor 2021 nga DVP Tiranë, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve, është autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.
Referuar burimeve të siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha mësohet se viktima është qëlluar edhe me armë zjarri, para se të hidhej nga shkëmbi në një humnerë, në zonën e Dajtit.
Gjetja e trupit erdhi pasi policia si fillim gjeti xhupin e tij, i cili kishte njolla gjaku.
Zhdukjen e biznesmenit e kishte denoncuar fillimisht djali i tij Saimir Hoxha, pas 4 ditësh pritje për kthimin e tij në shtëpi.
Risjellim në kujtesë edhe njëherë se njeriu i fundit që kishte takuar biznesmenin, ishte shtetasi Ferdinant Rrushi, tashmë në paraburgim, por që pretendon se e la Ruzhdi Hoxhën në banesën e tij në zonën e treshit në Tiranë, dhe se më pas u largua në drejtim të banesës me automjetin e tij.
Por në të vërtetë, rezulton gjithashtu nga këqyrja e kamerave të sigurisë së automjeti sapo u largua nga një degëzim i autostradës në afërsi të një lokali, ka vijuar udhëtimin drejt Dajtit.
Versioni se i humburi kishte konsumuar kafe e birra në afërsi të një zdrukthtarie konfirmohet edhe nga tre persona të tjerë që pohojnë se Ruzhdi Hoxha u largua me një makinë Pasat që është mjeti ku gjendej i shumë kërkuari, i cili pranon se ka bërë një xhiro dhe mandej e la në afërsi të një stacioni.
Deklarata e djalit të viktimës në polici
Djali i madh i Ruzhdi Hoxhës, Saimir Hoxha ka deklaruar për policinë se së bashku me disa të afërm e kanë kërkuar viktimën për 4 ditë, para se të drejtoheshin në polici. Në dëshminë e siguruar nga Anila Hoxha, djali i viktimës, ka treguar se pasi ka pyetur të gjithë miqtë dhe të njohurit e të atit, ka marrë në telefon edhe Fredi Rrushin. Ky i fundit është i dyshuari kryesor i policisë për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit.
Po ashtu, në dëshminë e djalit, gjithashtu tregohet edhe biseda e kryer me shtetasin Ferdinant Rrushi, i cili i ka thënë djalit se babanë e tij e ka lënë në mesnatë në zonën e treshit në Tiranë dhe që më pas do të shkonte ta merrte një grua.
“Më pas unë kam marrë në telefon Fredi Rrushin dhe i kërkova takim për të pyetur se ku është babi, pasi Fredi ishte personi i fundit që e kishte takuar. Fredi më ka thënë se nuk jam në shtëpi por kam ikur tek puna në Martanesh, dhe më ka thënë në telefon se babin tënd e kam lënë në mesnatë te treshi, dhe do të vinte ta merrte një gocë, një shoqe e tij, kaq më ka thënë”, citohet nga deklarata e djalit.
Dëshmia e E.T., mik i viktimës dhënë për policinë
Miku i Ruzhdi Hoxhës, E.T, në dëshminë e dhënë në polici, tregoi se e ka parë shokun e tij për herë të fundit teksa hipte në një makinë të tipit Pasat, ngjyrë gri e errët, bashkë me Fredi Rrushin dhe dy persona të tjerë.
Sipas E.T Ruzhdi Hoxha kishte qëndruar me të dhe një mik tjetër deri në orën 23:00 duke pirë birra, derisa ishte shfaqur Fredi Rrushi për ta marrë me dy të tjerë. E.T në dëshminë që Top Channel ka zbardhur , thotë se miku i tij i tha të ikte në shtëpi se ai do dilte me shokë, dhe kjo ishte hera e fundt që ai e pa.
“Shtetasit në makinë ishin K.I , A.S dhe Fredi Rrushi. Pasi ka ardhur kjo makina me këto persona, Ruzhdiu hipi me ta në vend të parë, duke me thënë të shkoja në shtëpi se ai po dilte me shokët e tij. Pas kësaj sapo kemi mbaruar birrat secili nga ne iku në shtëpi. Pasditen e datës 22.10.2021 djali i tij Ervisi më ka telefonuar duke më thënë nëse isha në dijeni se ku ishte babai i tij dhe i shpjegova sa më sipër. Pasi është pyetur nga ana jonë se ai njeh njerëzit që thashë më lart, më shpjegoi se i njeh si shokë të tij, por vetëm kaq. Më pas kemi pyetur në shumë hotele për Ruzhdiun por nuk dinte gjë njeri”, citohet nga deklarata.
Me shumë gjasë thonë hetuesit në këtë automjet mund të ketë patur gjurmë dhe për këtë arsye ata janë vënë në kërkim të makinës së zhdukur.
Burimet i thonë Top Channel njëherazi teksa kanë ndjekur itinerarin e automjetit me të cilin u largua i zhdukuri në afërsi të Dajtit, ata kanë zbuluar edhe një parcelë me drogë.
Pikërisht punëtori i parcelës ka pranuar se ai punonte për Ferdinant Rrushin që sakaq ishte në kërkim nga Italia po kjo nuk e ka penguar atë të kultivojë drogë.
Hetimet janë regjistruar për rrëmbim dhe pengmarrje të Ruzhdi Hoxhës që përshkruhet nga i biri si një përdorues kokaine që njëherazi ka treguar se borxhet që ka patur i ati i ka shlyer ai.
Top Channel