Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla këtë të premte e konsideroi të duhur vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese për certifikimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, 2019.
Sipas tij, ka pasur përpjekje për të minuar 30 qershorin.
“Unë dua të them që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i drejtë i mirëpritur që konsolidoi një bindje të të gjithëve se mbi popullin nuk mund të dalë askush. Vendimi i gjykatës ishte i duhur dhe konsolidoi rendin e vlerat demokratike në Shqipëri ku mbi të gjithë është sovrani popull që vendos. Për t’i hequr popullit të drejtën e vendimmarrjes, asnjë palë nuk mund të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve”, tha Balla.
Kujtojmë se një ditë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet vendore të 30 qershorit të vitit 2019.
Ky vendim vjen pas opinionit të marrë nga Komisioni i Venecias për këtë çështje.
Mazhoranca është shprehur e gatshme për një përballje të parakohshme elektorale lokale me demokratët.
Presidenti Ilir Meta deri më sot ka refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin rrugës, pasi nuk pranonte ta njihte “30 Qershorin”, por Partia Socialiste pret që Presidenti të ndryshojë qëndrim pas vendimit nga “Kushtetuesja”.
Në 6 bashki, Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë pritet që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme lokale.
Shkodra është e vetmja qe drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndrojë në detyrë, ndërsa 5 bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar.
Top Channel