SHBA ofron shpërblim për informacione për grupin DarkSide

04/11/2021 22:50

Shtetet e Bashkuara thanë se ofrojnë 10 milionë dollarë shpërblim për informacione që çojnë në identifikimin ose vendndodhjen e çdo individi që ka pozicion “udhëheqës kyç” në DarkSide – një grup i krimit kibernetik që besohet se është i lidhur me Rusinë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se ofron edhe një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacione që çojnë në arrestimin ose dënimin e ndonjë individi që “ka bërë komplot për të marrë pjesë ose ka tentuar të marrë pjesë” në një sulm kibernetik të grupit DarkSide, muaj më parë, në SHBA.

Sipas FBI-së, DarkSide ka kryer sulmin më të madh kibernetik kundër infrastrukturës kritike të SHBA-së, në muajin maj.

Grupi është shpërbërë pasi sulmi i tij në operatorin më të madh të tubacionit të karburanteve në SHBA, Colonial Pipeline, ka ndërprerë atëbotë furnizimet për gjashtë ditë në Bregun Lindor të SHBA-së.

Zyrtarët e Colonial Pipeline thuhet se u kanë paguar hakerëve një shpërblim prej më shumë se 4 milionë dollarësh.

Në atë kohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se zyrtarët amerikanë nuk besojnë se Qeveria ruse është e përfshirë në sulm, por ka shtuar se ka “arsye të forta për të besuar se kriminelët që kanë kryer sulmin, jetojnë në Rusi”.

Agjencitë qeveritare dhe kompanitë private në SHBA janë goditur këtë vit nga disa sulme të mëdha kibernetike.

Më 2 korrik, qindra kompani amerikane janë prekur nga një sulm që është kryer kundër kompanisë së teknologjisë Kaseya, me seli në Floridë./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA