Mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” në Top Channel po diskutohet për ndarjen e opozitës dhe marrëdhënien PD-LSI. Deputeti i PD-së, Ervin Salianji doli për koalicionin me LSI-në, duke theksuar se ai ishte parazgjedhor, por nuk tha nëse vazhdonte ende apo jo.
“Aleanca me LSI ishte një aleancë parazgjedhore ku për shkak të sistemit nuk ishim në një listë, por të gjithë elementët ishin të një koalicioni. Marrëdhëniet me partitë e koalicionit përshirë dhe LSI do vlerësohen në momentin e duhur. Partitë bashkëpunojnë dhe bëhen bashkë për shkak të interesave të përbashkëta. Kushdo që i bashkohet frontit opozitar është pjesë e koalicionit. Koalicionet bëhen kur ka zgjedhje dhe bashkohet secila parti, përfshirë edhe LSI”, tha Salianji.
Kjo deklaratë solli reagimin e gazetarit Nikoll Lesi, i cili mendon se koalicioni PD-LSI nuk ekziston më dhe se Salianji duhet ta pranonte këtë gjë publikisht.
“Më mirë thuaj troç që koalicioni para 25 prillit është fikur. Si do shkosh nesër në zgjedhjet vendore me 5 bashkitë që do dekretojë Presidenti. Në këtë mënyrë si shkon PD me LSI kundër dhe foltoren Rama rri në pushtet deri në 2030. Ti nuk mund të thuash që PD është një front i madh, është një front i copëtuar”, tha Lesi.
Top Channel