Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa këtë të mërkurë ka reaguar në lidhje me shkarkimin e Olti Rrumbullakut si zv.ministër i Arsimit, duke deklaruar se titullaren e këtij institucioni ose nuk e pyet askush ose tallet me Parlamentin.
Në një reagim në Facebook, Zhupa shkruan se pas largimit të ministres Kushi nga Komisioni, e cila duhej të ikte në mbledhjen e qeverisë, pyetjeve të opozitës për pjesën e mbetur iu përgjigj zv/ministri Rrumbullaku.
“E delegoi në mbledhje për të na dhënë përgjigje para Komisionit, ndërkohë shkoi në mbledhje tjetër për ta shkarkuar”, shprehet Zhupa.
Sipas saj, ose ministren e arsimit nuk e pyet njeri dhe as nuk e kishte idenë që do e shkarkonin zv.ministrin e saj, ose ajo është tallur me Parlamentin, duke lënë në raportim dikë që ishte në shkarkim.
“Të dyja tregojnë nivelin e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmin e kësaj qeverisje”, shkruan ajo.
Kujtojmë se në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratuan të tjera ndryshime në Qeveri. Konkretisht është emëruar në detyrën e zv/ministres së Arsimit, Albana Tole. Tole zëvendësoi Oltion Rrumbullakun, i cili lirohet nga detyra si zëvendësministër i Arsimit. Rrumbullaku u emërua në këtë detyrë më 11 dhjetor 2019 në vend të Redi Shtinos.
Top Channel