Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Alfred Rushaj këtë të mërkurë zgjodhi fjalët e Paolo Borsellinos për të prezantuar tre nismat për ndryshimet kushtetuese, ku sipas të cilit, prioritet numër një është vettingu i politikanëve.
Rushaj mendon se pastrimi i politikës nga zyrtarët e lartë dhe politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, i shërben një qeverisje më të mirë për qytetarët dhe i jep fund modelit të pandëshkueshmërisë.
Duke prezantuar vetingun e politikanëve në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjilacionit, Rushaj tha se ka ardhur koha që politikanët të trajtohen nga ligji njësoj si gjyqtarët, prokruorët dhe policët, të cilët kalojnë procesin e vetingut për ligjshëmrinë e pasurisë dhë kontakteve të papërshtatshme me krimin.
“Dekriminalizimi i plotë dhe zbatimi i të njëjtave norma të vetting-ut për vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar, dhe ligjshmërinë e pasurisë, duhet të zbatohet edhe ndaj zyrtarëve të lartë publikë, ku përfshihen deputetët, Kryeministri, ministrat, kryebashkiakët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Kjo garanton parimin e barazisë përpara ligjit, dhe përbën një premisë për një qeverisje të pandikuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, duke pastruar nga rradhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, individë të lidhur me krimin e organizuar dhe të korruptuar. “- u shpreh zoti Rushaj.
Për të treguar rëndësinë jetike të vetingut në politikë, kreu i grupit parlamentar të PD-së iu referua simbolit të luftës së shtetit ndaj mafias, Paolo Borsellino.
“Ekziston një keqkuptim bazë sipas të cilit politikani që shoqërohet me mafiozë, nëse nuk dënohet nga gjykata, është i ndershëm! JO! Gjykata mund të bëjë vetëm vlerësime të natyrës gjyqësore. Është detyrë e institucioneve që TË FLAKIN politikanët e afërt me Mafian, për të qenë të ndershme dhe për t’u shfaqur si të tilla”- ishin fjalët e Borsellinos, të zgjedhura nga z.Rushaj si mesazh se vetingu i politikanëve duhet pranuar nga PS.
Në prezantimin e nismës kushtetuese për vetingun e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj tha se vendi ka nevojë që ligji të miratohet pa vonesë dhe të nisë menjëherë zbatimin. “Ky projektligj i shërben dekriminalizimit të plotë të politikës, vettingut ndaj çdo funksionari kushtetues dhe mospërdorimit të krimit për të ardhur në pushtet apo mbajtur pushtetin.”- u shpreh zoti Rushaj.
Pjesë kryesore e argumenteve në prezantimin e nismës për ndryshimin e Kushtetutës, ishte përputhshmëria e propozimeve të PD për vetingun e politikanëve me qendrimet e mbajtura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni i Venecias, i cili ka dalë në konkluzionin se “në Shqipëri ekziston vërtet një problem i kontakteve të papërshtatshme midis politikanëve dhe elementeve kriminale.”
Rushaj citoi edhe konkluzione të tjera të Komisionit të Venezias, që konfirmojnë se “Për shkak të rrethanave specifike aktualisht në Shqipëri, futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publik duket si një qëllim legjitim” dhe se “skualifikimi që anulon një mandat zgjedhor nuk duhet të konsiderohet si kufizim i demokracisë, por si një mjet për ta ruajtur atë”.
Kreu i grupit parlamentar të PD Alfred Rushaj shpjegoi se të gjtiha sugjerimet e Komisionit të Venecias janë pasqyryar në amendamentët e PD.
1. Ka detajim të qartë të subjekteve që do t’i nënshtrohen vettingut në politikë.
2. Është përcaktuar qartë çfarë do të konsiderohet “kontakt me krimin e organizuar” që passjell humbjen e mandatit apo kufizimin e të drejtës për të votuar.
3. Është përcaktuar qartë kush do të konsiderohet si “person i përfshirë në krimin e organizuar”.
4. Janë përcaktuar qartë rrethanat kur kontaktet me personat e krimit të organizuar nuk përbëjnë vepër penale, por mund të shërbejnë si kriter për moszgjedhjen.
5. Janë qartësuar rastet kur aplikohet përmbysja e barrës së provës, si do të aplikohet ajo dhe si personi duhet të provojë që s’ka kontakte me krimin e organizuar.
6. Është përcaktuar qartë periudha kohore që do t’i nënshtrohet procesit të verifikimit, duke zgjedhur një kohëzgjatje të arsyeshme për shtrirjen e kësaj periudhe verifikimi. Është përcaktuar edhe periudha e ndalimit dhe veprimit të kufizimit.
7. Është përcaktuar mekanizimi i zbatimit (organi), që do të jetë një garanci kushtetuese për të siguruar pavarësinë dhe paanshmërinë gjatë procesit të vettingut të politikanëve.
Rushaj specifikoi se se vettingu i politikanëve është parashikuar të kryhet nga SPAK dhe të kalojë në dy filtra shtesë: Gjykata e Posaëme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Gjykata Kushtetutese.
Top Channel