Forcat detare të Rusisë u stërvitën për shkatërrimin e objektivave të armikut në Detin e Zi, por Moska nuk e fshehu shqetësimin nga prania e dy luftanijeve amerikane në zonë.
Vlamir Putin pohoi se forcat ruse e kanë ndjekur me dylbi dhe me sisteme mbrojtëse lëvizjen e “USS Mount Whitney” ndërsa u ankua për aktivitetin e NATO-s pranë kufijve të Rusisë.
Të martën, flota ruse e Detit të Zi njoftoi se anijet e saj kishin bërë prova për të shkatërruar objektivat e armikut dhe se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore ishin vënë në gatishmëri në bazat e saj në Novorosijsk dhe në Krimenë e aneksuar, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfaks. “Ato shkatërruan objektivat ajrore të një armiku imagjinar me raketa dhe artileri kundërajrore”, thuhet në një deklaratë.
Rusia ka paralajmëruar më parë vendet perëndimore që të mos dërgojnë anije luftarake në Detin e Zi dhe mos t’i afrohen bregut të Krimesë, gadishullit që ajo e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.
Rusia e konsideron Krimenë pjesë të territorit të saj, por gadishulli njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Ukrainës. Marina e Shteteve të Bashkuara njofti se luftanija “USS Mount Whitney” kishte mbërritur në Stamboll dhe se së shpejti do të bashkohej me USS Porter dhe luftanijet e tjera në Detin e Zi.
Top Channel