PD braktis mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, reagon Bardhi: Keni vendosur të hidhni në erë dialogun

03/11/2021 16:00

PS dhe PD nuk kanë arritur të gjejnë kompromis për procedurat që duhet të ndiqen për ndryshimin e Kushtetutës për reformën zgjedhore, territoriale, vetingun e politikanëve dhe zgjatjen e procesit të vetingut.

Gjatë diskutimeve në Këshillin për Legjislacionin, Partia Socialiste kërkoi që dy çështjet të shqyrtohen veçmas, kurse Partia Demokratike tha se kjo duhet bërë njëkohësisht.

Ishte deputetja e PS-së, Ermonela Felaj ajo që i kërkoi opozitës që të rishikojnë kalendarin e punimeve, pasi nuk mund të bashkohen të dyja nismat.

Kalendari i punimeve përkon pikë për pikë me kalendarin e punimeve për nismën që ka propozuar PS. Ne nuk duam të bashkojmë dy nismat. Unë i ftoj kolegët që ta rishikojnë kalendarin dhe në mbledhjen tjetër ne ta miratojmë”, tha Felaj.

Ashtu siç ka deklaruar edhe më parë, PD nuk ka rënë dakord me këtë propozim.

Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi tha se dy nismat duhet të ecin paralelisht.

Ne nuk biem dakord që ndryshimet në kushtetutë kanë karakter teknik. Nuk është dokument teknik dhe si e tillë nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese të karakterit teknik. Rregullorja e kuvendit e bën të qartë afatin. Të dyja nismat duhet të ecin paralelisht sepse momenti që miratohet raporti nga kjo mbledhje duhet ti nënshtrohet shqyrtimit në seancë. Nëse nuk ecin paralelisht i bie që në dhjetor të shqyrtojë çështjen e parë dhe pas dy javë të mbledhim përsëri në seancë plenare dhe të bëjmë një ndryshim në Kushtetutë. Kjo nuk është serioze. Nuk ka asnjë shpjegim që të martën ti thërrasim për një iniciativë, të mërkurën të vijmë prap për tjetrën”, tha Bardhi.

Klotilda Bushka: Në vijim të asaj që ju sapo paraqitët, por edhe të propozimit të zotit Gogu, do t’i ftoja kolegët që ta shtyjmë për mbledhjen e radhës miratimin e kalendarit për ndryshimet kushtetuese. Është mirë t’i rakordojmë datat. Nuk më vjen mirë që nismat konsiderohen, si nisma jonë dhe nisma juaj. Logjika është kjo të dyja nismat janë nisma të paraqitura në kuadër të Kushtetutës. Ndryshimi është në substancë dhe jo se është e njërit apo e tjetrit. Nisma që filloi më datën 1 nëntor është një nismë teknike që kërkon një afat normal për shqyrtimin e saj. Nisma që po shqyrtohet sot është më komplekse dhe kërkon seriozitet në shqyrtimin e ndryshimeve kushtetuese, rasti e sjellë që propozimi për reformën në drejtësi është emergjent. Pasi reforma në drejtësi është në proces e sipër. Nisma që ju propozoni kërkon më shumë kohë. Qëndrimi që nismat do të shqyrtohen veç e veç, ka qenë i qartë nga ne që në mbledhjen e datës 1 nëntor. Për sa kohë kemi një kalendar të paraqitur nga kolegët, ose të rishqyrtohet ky kalendar nga ana e tyre ose të hidhet në votim pasi këto janë zgjidhjet e vetme që kemi në këto momente.

Alfred Rushaj: Znj.Kryetare! Znj.Bushka! Asgjë në Kushtetutë, madje edhe printimi i Kushtetutës në një format tjetër nuk është çështje teknike. Kushtetuta kërkon konsensusin më të madh shoqëror. Në këtë sens, fakti që ju doni që institucionet mos të kryejnë detyrat siç e ka parashikuar Kushtetuta, vetëm çështje teknike nuk është. Që puna të eci përpara dhe, të mos ngeci, propozimi im është ky që të ndryshohen oraret dhe data është në rregull. Edhe për të ekonomizuar kohën e eksperteve dhe institucioneve që do të thërrasim propozojmë vetëm ndërrimin e orës.

Fatmir Xhafaj: E vlerësoj ndërhyrjen që bëri kryetari i grupit parlamentar për të gjetur një zgjidhje. Mund të kemi dhe ne një kohë të dytë për të bërë propozimet tona në lidhje me kalendarin.

Alfred Rushaj: Duke qenë që propozimin tim e keni, në të njëjtat ditë që janë parashikuar këtu vetëm të shtohet ora, me qëllim që dhe ekspertët mos të vijnë nga dy ose tre herë. Ne e kemi problem këtë që kur thërrasim dikë t’i themi hajde prapë nesër, ju s’doni, atëherë hidheni në votim.

Gazmend Bardhi: Jemi duke u marr me të njëjtën çështje. Ne kemi të drejtë të propozojmë kalendarin dhe seancat dëgjimore. Na jepni mundësi ta miratojmë këtë kalendar. Në vijim të shqetësimit të z.Xhafaj, po e marrim përsipër që dhe në seancën tjetër të plotësojmë kalendarin, por të ecim me kalendarin që propozojmë ne fillimisht. Ju nuk mund të na thoni ne se në iniciativën tuaj do të vini në datën dhe orën që duam ne dhe në iniciativën tonë do të vini prapë në orën dhe datën që duam ne.

Lindita Nikolla: Kemi një propozim nga z.Rushaj dhe një nga z.Gogu dhe le ta hedhim në votim.

Dhurata Çupi: Ç’punë ka zoti Gogu me kalendarin tonë.

Gazmend Bardhi: Nuk është fare serioze që në kohët që ne diskutojmë që ju keni dy kolegët aty, që i keni si këshilltarë. Ju si këshilltarë mund të keni punonjësit e Kuvendit jo ata. Ju thoni që seancat dëgjimore të opozitës do t’i vendosi Toni Gogu dhe Ermonela Felaj. Seancat dëgjimore do t’i bëjmë kur të duam ne dhe jo kur të doni ju.

Lindita Nikolla: Patjetër kur të doni ju

Gazmend Bardhi: Ju zonja Kryetare keni vendosur të hidhni në erë dialogun politik me organet e Kuvendit. Si mund të ndodhë kjo. Seancat dëgjimore do t’i bëjmë kur të duam ne dhe ju kur të doni ju. Si mund t’ia nënshtrosh votës se kur do të bëjë opozita seanca dëgjimore. Nëse na doni në tryezë ju duhet të bini dakord me ne. Nëse keni vota për ta ndryshuar Kushtetutën, vazhdoni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA