Në nëntë muaj, kostot vjetore të shërbimit të borxhit u rritën me 13%, ritmet më të larta të dekadës

03/11/2021 10:07

Qeveria shqiptare shpenzoi gjatë janar-shtator 2021 mbi 3 miliardë lekë (432 milionë euro) për shërbimin e borxhit publik në formën e interesave dhe principalit.

Kjo vlerë ishte 13.3% ose 50 milionë euro më e lartë se shpenzimet për shërbimin e borxhit në 9-mujorin e vitit 2020. Ritmet e rritjes së shpenzimeve për shërbimin e borxhit ishin më të lartat në 10 vitet e fundit, sipas të dhënave nga Ministria e Financave.

Nga shpenzimet e përgjithshme të shërbimit të borxhit, 28 miliardë lekë ose 52.6% ishin pagesa për shlyerjen e interesave dhe rreth 25%.

Nga shpenzimet për interesa, pjesa më e madhe prej 19.7 miliardë lekësh shkoi për shërbimin e borxhit të brendshëm dhe 8.6 miliardë lekë shkuan për shërbimin e borxhit të jashtëm.

Presioni mbi shpenzimet për shërbimin e borxhit publik po vjen nga rritja në rekorde e detyrimeve publike në vlera neto. Në tremujorin e tretë të vitit 2021, stoku i borxhi publik u rrit me 57.7 miliardë lekë ose 469.5 milionë euro. Por deri në mbyllje të vitit, kjo shumë do të dyfishohet prej emetimit të një Eurobondi me vlerë 500-700 milionë euro gjatë muajit nëntor, sipas raportimeve nga Ministria e Financave.

Ministria e Financave parashikon që shërbimi i borxhit, pagesa e principalit dhe interesave në një vit fiskal të arrijnë 50 miliardë lekë, ose 406 mln euro në një vit gjatë periudhës 2021 -2023. Kjo shifër është formuluar duke marrë në konsideratë skenarin bazë, sipas të cilit normat e interesit gjatë periudhës afatmesme do të qëndrojnë në nivele të krahasueshme me normat aktuale dhe stoku i borxhit në terma bruto do të shoqërohet me rritje në përputhje me nevojat fiskale.

Financimi i brendshëm, në terma bruto, do të plotësojë rreth 80% të nevojave për huamarrje. Nëpërmjet këtij financimi do të mundësohet rifinancimi i titujve ekzistues që maturohen dhe mbulimi i pjesshëm i deficitit buxhetor. I gjithë financimi i brendshëm planifikohet të realizohet nëpërmjet burimeve private, ku si instrumente huaje do të përdoren titujt shtetërorë.

Sipas pritshmërive të Fondit Monetar Ndërkombëtar të lëshuara ditët e fundit, borxhi i përgjithshëm i qeverisë parashikohet të rritet në pothuajse 80% të PBB-së, në fund të vitit 2021, ndër më të lartët në rajon.

Sipas Fondit, borxhi pritet të bjerë gradualisht, pasi masat mbështetëse dhe rindërtimi të përfundojnë dhe të respektohet rregulli fiskal i një bilanci primar fiskal të paktën zero duke filluar nga viti 2024, në zbatim të Ligjit Organik të Buxhetit (LOB). “Pa përpjekje të mëtejshme për rregullim fiskal, ne parashikojmë që borxhi të mbetet mbi normën 70% të PBB-së në periudhën afatmesme” analizoi Fondi. Me këto zhvillime, Shqipëria mbetet me borxhin më të lartë në rajon pas Malit të Zi./ Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA