Miratimi i projektbuxhetit të 2022/ Komisioni i Ligjeve! Ibrahimaj: Parashikojmë rritje 4.1% të ekonomisë

03/11/2021 11:02

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka dhënë detaje për projektligjin e buxhetit të 2022 në vend, ndërsa është e ftuar në Komisionin e Ligjeve.

Sipas saj, pritet që ekonomia në vititn 2022 të ketë 4.1% rritje, ndërsa parashikohet të mbahet një nivel mesatar 2.4% për dy vitet që pasojnë.

Ibrahimaj thekson se projektbuxheti i vitit 2022 ka si objektiv konsolidimin dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Ekonomia shqiptare ka njohur një rritje të vazhdueshme që në vitin 2013 kur ne nisëm qeverisjen. Të dhënat tregojnë se në vitin 2013 rritja ekonomike ka qenë 1 për qind, ndërkohë ka njohur rritje progresive duke arritur në 4.07 për qind në vitin 2018. Si pasojë e tërmetit dhe pandemisë globale Covid-19 ekonomia u ngadalësua, por gjithsesi performoi më mirë se sa të gjitha parashikimet tona dhe institucioneve ndërkombëtare financiare. Për vitin 2020 institucionet ndërkombëtare financiare si FMN, Banka Botërore, Komisioni Europian, BERZH-i dhe të tjera parashikuan një recension deri në 9 për qind, ndërkohë që zyrtarisht u regjistrua 3.96 për qind.

Projektbuxheti i vitit 2022 për shqyrtim ka si objektiv primar konsolidimin dhe rimëkëmbjen ekonomike pas përballimit me sukses të dy fatkeqësive natyrore që goditen vendin tonë në mënyrë të një pas njëshme. Ky objektiv madhor bazohet në pritshmëritë e qeverisë pozitive për rritjen e ekonomisë domethënëse të vitit 2021 prej 7.6 për qind, duke lënë pas recesionin e vitit 2020 prej 4 për qind. Falë reformave dhe politikave të duhura që u ndërmorën ekonomia arriti të rikthehet në norma të larta rritje, ku specifikisht për vitin 2022 ne parashikojmë një rritje prej 4.1 për qind, duke mbajtur një nivel mesatar prej 4 për qind në vitet pasuese 2023-‘24 . Më lejoni të theksoj se këto parashikime janë në linjë me parashikimet e FMN-së. Rritja ekonomike na ka mundësuar që të mbështesim qytetarët, duke rritur mirëqenien e tyre dhe të ardhurat e disponueshme.

Të dhënat tregojnë se rritja ekonomike ka qenë me bazë të gjerë, ndërsa PBB për banorë është rritur nga 466 mijë lekë në vitin 2013 në 568 mijë lekë në vitin 2020 dhe pritet që në vitin 2022 të shkojë në 661 mijë lekë për banorë. Falë politikave të reforma të ndërmarra që në vitin 2013 tregojnë se treguesit kryesor që kanë lidhje me mirëqenien e qytetarëve kanë pasur një përmirësim të vazhdueshëm.

Kështu që papunësia ka pasur rënie, ajo ka qenë në nivelet 16.4% në vitin 2013 dhe ka zbritur në 11.6% në vitin 2019. Ndërkohë, për vitin 2020 ajo pritet të zbresë në nivelet 10.3%.  Të ardhurat totale në buxhetin e shtetit kanë pasur një rritje të fortë, falë politikës së duhur fiskale dhe administrimit fiskal. Në vitin 2013 të ardhurat ishin në nivelit 327 mld lekë, ato kanë pësuar rritje deri në 460 mld lekë në vitin 2019. Të ardhurat totale pritet të mbërrijnë në 484 mld lekë në vitin 2021. Teksa parashikohen në 536.8 mld lekë në vitin 2022“, tha Ibrahimaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA