Rritja e nivelit të detit po kthehet në një fenomen shqetësues për autoritetet egjiptiane, të cilat kanë vendosur të marrin masa konkrete për frenimin e tij.
Në qytetin port të Aleksandrisë po vendosen blloqe betoni në bregdet për të zbutur efektin e dallgëve dhe për mbrojtur metropolin e zhurmshëm nga baticat e larta. Niveli i deteve është duke u rritur me një ritëm gjithmonë e më të shpejtë, sipas një komisioni të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike.
Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës paralajmëron se qytetet bregdetare, deltat dhe shtetet që gjenden në ultësira mund të përballen me probleme serioze si rezultat i ndryshimeve klimatike. Aleksandria, qyteti bregdetar i Egjiptit, u ka mbijetuar pushtimeve, zjarreve dhe tërmeteve që nga themelimi nga Aleksandri i Madh më shumë se 2 mijë vite më parë.
Por tani, qyteti i legjendave përballet me një kërcënim të ri si rezultat i ndryshimeve klimatike. Qyteti i dytë më i madh i vendit të Afrikës Veriore është i rrethuar në tre anë nga Deti Mesdhe dhe ka edhe një liqen, çfarë e bën atë qytet shumë të cënueshëm nga rritja e nivelit të detit si rezultat i ngrohjes globale dhe shkrirjes së akullnajave.
Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike ka paralajmëruar se deri në vitin 2100 nivelet globale të deteve mund të rriten me 28 centimetra deri në pothuajse një metër, duke patur “ndikime serioze për qytetet bregdetare, deltat dhe shtetet e ulëta”.
Top Channel