Kryeministri Edi Rama fjalën e tij në Konferencën e OKB-së mbi ndryshimet klimatike në Glasgow të Skocisë e nisi me një batutë dhe disa pyetje për pjesëmarrësit.
Rama u shpreh së është krenar që Shqipëria nuk është vend ndotës dhe që prodhimi ynë i energjisë mbështetet te burimet e ripërtëritshme, 100% hidrike, zero% karburante fosile.
Ai u drejtoi një pyetje që ende nuk i kishte dhënë përgjigje, të gjithë vendeve të zhvilluara: “Si mendojnë të na ndihmojnë ndotësit e mëdhenj neve, që jemi jondotës?”
“Unë quhem Edi Rama. Me gjasë jam më i gjati këtu, por vij nga një prej vendeve më të vogla, Shqipëria. Unë dhe bashkëqytetarët e mi shohim nga vendet tuaja si modele të mirëqeverisjes. Në ngjarje të rëndësishme, si kjo e sotmja, na thuhet se çfarë duhet të bëjmë. Zakonisht, ne dëgjojmë dhe mbajmë shënim. Kështu bëra, ju dëgjova dhe mbajta shënim, por ende nuk kam marrë përgjigje për pyetjen me të cilën kam ardhur këtu. Ndoshta nuk i ka shkuar kujt në mend, kështu që po e them qartë: “Si mendojnë të na ndihmojnë ndotësit e mëdhenj neve, që jemi jondotës?”
Po, jondotës! Prodhimi ynë i energjisë mbështetet te burimet e ripërtëritshme, 100 për qind hidrike, zero për qind karburante fosile. E nuk japim vetëm premtime se do të përballemi me sfidën e përbashkët të angazhimeve të ndërmarra dhe objektivave të vendosura. Ne e bëjmë këtë. Sot. Në vitin 2021”, tha Rama.
Sipas Ramës, Shqipërisë i duhet të importojë ndotje, pasi ka mungesë reshjesh. Vendi ynë blen energji me kosto shumë të lartë nga të mëdhenjtë.
“Por ne nuk jemi të vetëmjaftueshëm, kështu që na duhet të importojmë energji dhe, për pasojë, importojmë ndotje. Vendi ynë i vogël ju pyet: “Për sa kohë do të na duhet të vazhdojmë të bëjmë të vetëm gjënë e duhur? Për sa kohë do të na duhet të jemi të parët që paguajnë çmimin për kontributin tuaj në ndryshimin e klimës dhe, më tej, për mosndreqjen e pasojave të saj nga ana juaj?
Ne mund t’i kishim pranuar të gjitha ofertat fitimprurëse që na janë bërë për vite me radhë për termocentrale me qymyr. Do të na kishin ndihmuar për të kompensuar sezonet tona të thatësirës, kur mungesa e reshjeve na detyron të dalim në treg dhe të blejmë energji me kosto shumë të lartë nga të mëdhenjtë. Jam krenar që nuk e kemi bërë, por, tani, vendi im i vogël sheh atë çfarë ndodh këtu, sesi ndotësit më të mëdhenj marrin racionet më të mëdha të parave, për të na ndihmuar ne të përballemi me ndryshimin klimës siç thonë”, tha kryeministri shqiptar.
Kreu i qeverisë shqiptare ripërsërit se çmimi i blerjes së energjisë është shumë i lartë. Shpresoj deklaroi kryeministri Rama që do t’i mbani premtimet për financim, për të mbështetur vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme; duke nisur nga modele të energjisë së pastër, siç është Shqipëria.
“Tani që po vjen dimri, buxheti ynë ka humbje, pasi na duhet të blejmë energji dhe çmimet kanë shkuar në qiell. Për më tepër, për shkak të thatësirës së madhe, hidrocentralet tona nuk i përmbushin dot nevojat e vendit. Kështu gjendemi midis dy përbindëshave, Shilës, ndërsa lutemi të bjerë shi për prodhimin e energjisë elektrike dhe Karibdës, rrezikut të përmbytjeve shkatërruese që gërryejnë pjesë masive të ekonomisë sonë të vogël rurale. Vetë kriza e klimës në veprim.
Kështu, vendi im thotë me vete – ke 100 për qind burime të ripërtëritshme, po, por cila është përgjigjja për familjet dhe biznesin e vogël që nuk ia dalin të paguajnë fatura edhe më të larta për konsumin e energjisë elektrike? Mos po paguajmë çmimin se po bëjmë gjënë e duhur?
Ne nuk mund të rrimë pa bërë gjë e të presim nëse tregjet lëvizin me shpejtësi në drejtimin e duhur”, u shpreh Rama.
Ruajtja e standardit të prodhimit të energjisë së ripërtërishme është shumë e vështirë, ndërsa është e pamundur të përballohet pa mbështetjen e vendeve më të pasura e më të fuqishme.
“Shpresoj që do t’i mbani premtimet për financim, për të mbështetur vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme; duke nisur nga modele të energjisë së pastër, siç është Shqipëria. Ky financim nuk duhet të vijë në formën e huave që i zënë vendet tona në grackën e ciklit të borxhit, por përmes granteve që na fuqizojnë të investojmë. Dhe shpresoj që mbështetja nuk do të vazhdojë të nënkuptojë studime e strategji pa fund, ndikimi i të cilave është shumë herë më i ulët sesa kostoja që duhet për të paguar njerëzit nga vendet e pasura që i hartojnë ato.
Është krejt fisnike të refuzosh çdo përzierje me karburantet fosile të prodhimit tonë të energjisë 100 për qind të ripërtëritshme. Disa prej jush mund të jenë në gjendje ta përballojnë. Për ne, është një betejë e përditshme. Modeli është i pamundur të përballohet pa mbështetjen e vendeve më të pasura e më të fuqishme. Jam i ndërgjegjshëm se nismat e ardhshme të klimës nuk kushtëzohen vetëm nga sa prekin Shqipërinë apo vende të ngjashme me të, por mungesa juaj e veprimit na ndikon ne dhe shumë si ne, që paguajnë çmimin e lartë për fitimet e ndotësve të mëdhenj. E nisa duke thënë se i kemi sytë nga vendet tuaja, si modele të mirëqeverisjes. Shpresoj të mos vijmë në pikën ku të kuptojmë që ka qenë gabim. Ju faleminderit”, mbylli fjalën Rama.
Top Channel