Gjiknuri foli ndryshe nga Rama për nismën e Bashës/ Kryeredaktori i lajmeve në Top Channel: Është skifter që lëshon batuta

02/11/2021 18:32

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri ka folur sot për vettingun në politikë duke shprehur një qasje të re për këtë propozim të PD. Në këtë mënyrë, u duk sikur doli kundër kryeministrit Edi Rama, i cili e quajti propozimin e demokratëve si ide të lodhur.

Kryeredaktori i lajmeve në Top Channel, Altin Kreka ka komentuar në “Zona Zero” faktin se numri dy i PS flet ndryshe nga kryeministri. Sipas Krekës, Gjiknuri nuk është rebel që del kundër kryetarit, por skifter që lëshon batuta për të parë deri ku do të shkojë reagimi.

Nga ana tjetër, theksoi se ngërçet mes PS dhe PD po zgjidhen falës Ballës dhe Rushajt, të cilët komunikojnë vazhdimisht me njëri-tjetrin.

Kreka: Gjiknuri nuk është rebeli që del kundër kryetarit por skifteri që lëshon batuta për të parë deri ku do të shkojë reagimi. Ka një diskutim, një marrëveshje, disa diskutime që bëhen larg syrit të medias që bëhet mes PD dhe PS që bëhet mes Ballës dhe Rushaj. Ata komunikojnë në mënyrë të shpeshtë për çdo detaj dhe komunikimi i tyre ka zgjidhur disa ngërçe. PS do të pranojë dhe ndryshime në ndarjen territoriale për ndonjë bashki. Siç e patë dhe dje në këshillin legjislativ, demokratët nuk shfaqën kundërshti për zgjatjen e mandateve të vettingut. Shumë shpejt do shohim se Kushtetuta do të preket dhe për vettingun dhe për reformën.

Kujtojmë se ditën e sotme, Damian Gjiknuri foli për vettingun në politikë duke thënë se Shqipëria ka legjislacion të mjaftueshëm për të kryer atë që quhet kontrolli i pastërtisë së figurës së politikanit, sikurse janë deklarimi i pasurive, ligji antimafia, dekriminalizimi dhe në fund të fundit vota e qytetarëve.

“E ka thënë edhe Komisioni i Venecias shumë herët që politikanët nuk janë të përjetshëm në politikë, i nënshtrohen votës. Gjyqësori është një profesion i përjetshëm. Pra kemi njerëz që filtrohen në sistem dhe janë të përjetshëm aty dhe nuk japin llogari askund përveçse trupave gjyqësore. Në rastin e politikës, politikanët janë njerëzit më të lëvizshëm, më të kontrollueshëm dhe njëkohësisht të votueshëm”, tha Gjiknuri.

Vettingu në politikë, një ide e demokratëve që në vitin 2018, PD kërkon ta arrijë përmes një ndryshimi kushtetues për të cilën nuk ka votat. Deklarimi i Damian Gjiknurit lë pak shpresë që shumica socialiste t’i thotë PO propozimit që vjen nga Selia Blu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA