Në Gjykatën Kushtetuese është duke u zhvilluar seanca e fundit e shqyrtimit të kërkesës së Shoqatës së Bashkive për pavlefshmëri totale të zgjedhjeve të shkuara lokale.
Elira Kokona duke komentuar opinionin e Venecias kërkoi rrëzimin e kësaj kërkese me argumentin se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre.
Fjala e plotë e zonjës Kokona përpara Gjykatës Kushtetuese
Këshilli i Ministrave i qëndron të gjitha parashtrimevepërcjellë me shkrim nëpërmjet shkresës me nr.1844/4 prot., datë 7.5.2021, dhe atyre të shprehura në seancën plenare publike të datës 23 qershor 2021.
Në vijim Këshilli i Ministrave dëshiron të ndalet vetëm në disa konsiderata mbi opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecias CDL-AD (2021) 026 (nr.1049,datë 18 tetor 2021), “Për juridiksionin e gjykatës kushtetuese lidhur me vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të mbajtura më 30 qershor 2019”.
Me kënaqësi konstatojmë se qëndrimi i mbajtur nga Këshilli i Ministrave në lidhje me çështjen, është konfirmuar nga Komisioni i Venecias në opinionin amicus curiae.
Këshilli i Ministrave, duke u ndalur tek juridiksioni i Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar çështjen sipas objektit të paraqitur, në lidhje me pikën e parë të kërkimit, ka mbajtur qëndrimin se kërkesa nuk ka shkak të ligjshëm/kushtetues. Referuar historikut të ndryshimeve kushtetuese, pas reformës së dekriminalizimit të vitit 2015 që kulmoi me ndryshimet kushtetuese të miratuara me ligjin nr. 137/2015, i është njohur Gjykatës Kushtetuese kompetenca për të shqyrtuar zgjedhshmërinë dhe rastet e verifikimit të zgjedhjes së zyrtarëve. Këshilli i Ministrave ka mbajtur qëndrimin se rastet që lidhen me zgjedhshmërinë apo papajtueshmërinë e zyrtarëve, kanë të bëjnë me një gjykim të posaçëm kushtetues dhe në asnjë moment nuk lejojnë hapësirë që Gjykata Kushtetuese të vlerësoi në bllok kushtetutshmërinë e një procesi zgjedhor.
Sa më sipër ka gjetur mbështetje edhe në Opinionin e Komisionit të Venecias të datës 18 tetor 2021. Në lidhje me pyetjen e parë të shtruar nga Gjykata Kushtetuese, mbi juridiksionin e Gjykatës, është mbajtur qëndrimi se:
25. […] Kodi Zgjedhor apo Ligji për Gjykatën Kushtetuese, tregon një kuptueshmëri të përbashkët dhe interpretimin se Gjykata Kushtetuese nuk është arbitër i përgjithshëm i ankimeve zgjedhore. Këto ligje dëshmojnë historikun legjislativ dhe interpretues që duhet pasur parasysh. Prandaj, shprehja “verifikimin e zgjedhjes së tyre” duhet interpretuar në mënyrë të kufizuar, duke trajtuar çështjes e së drejtës për t’u zgjedhur dhe jo të gjitha procedurat zgjedhore.
26. Ky interpretim duket se gjen mbështetje në qëllimin e reformës së vitit 2015, që ishte dekriminalizimi i organeve të zgjedhura duke garantuar integritetin e anëtarëve individualë të tyre. Përkundër kësaj, çështja e sjellë para Gjykatës Kushtetuese konsiston në konstatimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të zgjedhjeve vendore si të tilla, […]. Kjo çështje nuk ka asnjë lidhje me zgjedhshmërinë e anëtarëve individualë të organeve të përmendura në nenin 131, pika 1, germa “e” e Kushtetutës. Përkundrazi, ka të bëjë me legjitimitetin e të gjitha organeve të zgjedhura më 30 qershor 2019, që është një arsye objektive.
28. Si përfundim, Komisioni i Venecias është i mendimit se […], juridiksioni i Gjykatë Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. […].
Duke pasur parasysh sa më sipër, Këshilli i Ministrave vlerëson se kërkesa duhet të rrëzohet duke qenë se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre.
Në lidhje me pretendimet e tjera të ngritura nga kërkuesi që kanë të bëjnë me cënimin e të drejtës për të zgjedhur, pluralizmin politik, shkeljen e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe shtetit të së drejtës, Këshilli i Ministrave ka vlerësuar në bllok se ato nuk ishin ngritur në nivel kushtetues. Mbi të gjitha, referuar situatës faktike procedura e ndjekur për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme vendore të vitit 2019, reflektonte pikërisht këto parime.
Qëndrimi i Këshillit të Ministrave ka të njëjtën linjë me arsyetimin e ndjekur edhe nga Komisioni i Venecias. Në përgjigjen e pyetjes së dytë të ngritur nga Gjykata Kushtetuese, mbi raportet që krijojnë në një shoqëri demokratike parimet e periodicitetit dhe pluralizmit politik, duke u ndalur fillimisht në raportin e dhënë mbi caktimin e datës së zgjedhjeve Komisioni i Venecias ka ripërsëritur se:
“shtyrja e zgjedhjeve vendore të 2019-ës nuk pati bazë ligjore pasi nuk ekzistonte një kompetencë e tillë për Presidentin. Në mungesë të një dispozite ligjore për këtë çështje, Presidenti mundet që të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore vetëm në situatën ku plotësohen kriteret për marrjen e masave të jashtëzakonshme. Madje edhe në këtë rast, Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike ad hoc për të shtyrë zgjedhjet. […]Prandaj, Komisioni i Venecias vlerëson se Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka tejkaluar kompetencën e vet sipas Kushtetutës duke shtyrë zgjedhjet vendore të 2019-ës. (shiko Komisioni i Venecias, Opinioni për kompetencat e Presidentit në caktimin e datës së zgjedhjeve (CDL-AD(2019)019), paragrafi 94.)”
Presidenti me dekretet e tij të njëpasnjëshme në caktimin e datës së zgjedhjeve, ka tejkaluar kompetencat kushtetuese. Kjo është konfirmuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë të Kolegjit Zgjedhor. Komisioni i Venecias ka konfirmuar se një respektim i këtij vendimi do të ishte një zgjedhje e mirë për çështjen.
Këshilli i Ministrave vlerëson se demokracia dhe shteti i së drejtës marrin vlerë kur institucionet, zbatojnë vendimet gjyqësore të formës së prerë. Situata e prezantuar nga kërkuesi na fton të na vendosë në një situatë të përkundërt me këtë, dhe kjo është shumë e rrezikshme për demokracinë. Sa më sipër, në vlerësim të Këshillit të Ministrave nuk jemi në kushtet e shkeljes së parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe shtetit të së drejtës.
Në lidhje me pretendimin se është cënuar parimi i pluralizmit politik, Këshilli i Ministrave ka vlerësuar se askujt nuk i është penguar aksesi në zgjedhje. Konsideratat politike duhet të qëndrojnë jashtë debatit juridik dhe duhet të sigurohet e drejta e qytetarëve për të zgjedhur. Ky mekanizëm vlerësohet se vjen në funksion të ushtrimit të sovranitetit dhe nga ana tjetër, të kontrollit të të zgjedhurve nga populli. Mjeti për të realizuar këtë, është pikërisht periodiciteti i zgjedhjeve.
Komisioni i Venecias në përgjigje të pyetjes së Gjykatës Kushtetuese ka mbajtur një qëndrim të padyshimtë, sipas të cilit konsideratat politike nuk duhet të bëhen pjesë e proceseve gjyqësore dhe se parimet e periodicitetit dhe pluralizmit nuk konkurrojnë dhe nuk duhet të konkurrojnë në një shoqëri demokratike. Konkretisht, Komisioni i Venecias është shprehur se:
“40. Megjithatë, Komisioni i Venecias nënvizoi edhe se “bojkoti zgjedhor i partive politike, edhe nëse përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të elektoratit, nuk mund të ndalojë mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta/periodike. Përndryshe, këto parti do të përfitonin mjetin për të penguar plotësisht çfarëdolloj zgjedhjesh”.
46. Pluralizmi politik varet edhe nga vetë partitë politike. Ato duhet të jenë të lira të vendosin për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe përfundimisht për influencën e tyre në ofrimin e një zgjedhjeje kuptimplote për votuesit në ditën e zgjedhjeve.
47. Si përfundim, parimet e periodicitetit të zgjedhjeve dhe pluralizmit politik nuk kanë gjasa të përplasen per se me njëri-tjetrin, sepse shprehen në lloje shumë të ndryshme rregullash. Pluralizmi mund të jetë qëllim legjitim për të ndërhyrë në periodicitet, por që ky qëllim të prevalojë, ndërhyrja duhet të ketë bazë ligjore dhe të jetë proporcionale. Parlamenti ka hapësirë të gjerë vlerësimi për të miratuar bazë ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve; në mungesë të kësaj baze, Gjykata Kushtetuese mundet ta vlerësojë shtyrjen si antikushtetuese.”
Në dritën e qëndrimit edhe të Komisionit të Venecias, Këshilli i Ministrave, rithekson se në një sistem demokratik, nuk ka dhe nuk mund të ketë një hierarki të vlerave dhe parimeve mbi të cilat ai është i mbështetur. Parimi i periodicitetit, pluralizmit, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, zgjedhjeve të lira, parlamentarizmi etj, janë bazat e ndërtimit të një shoqërie të lirë e demokratike. Në demokraci ato do të duhet të funksionojnë të gjitha së bashku e në funksion të së tërës. Hierarkia mes tyre do të prishte këtë balancë dhe do ta dëmtonte demokracinë. Sa më sipër, Këshilli i Ministrave vlerëson se nuk ka shkelje të parimit të pluralizmit në zgjedhje.
Për sa i përket kërkimit të dytë, Këshilli i Ministrave sjell në vëmendje parashikimet e nenit 57 pika 1 të ligjit nr.8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, i cili i ka përcaktuar në mënyrë shteruese subjektet që mund të vënë në lëvizje juridiksionin kushtetues për çështje me objekt verifikimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjeve. Kërkuesi nuk përfshihet në rrethin e subjekteve dhe për këtë nuk do të duhej të legjitimohej në këtë proces. Pavarësisht sa më sipër, Këshilli i Ministrave nuk tërheq interes për kërkimin e dytë të objektit dhe e lë në vlerësim të Gjykatës Kushtetuese.
Top Channel